Ministri i Financave të Ontarios ikën me pushime në mes të pandemisë

Pushimet tropikale të Ministrit të Financave të Ontarios, Kanada, Rod Phillips, duket kanë përfunduar më shpejt nga sa e kishte parashikuar.

Në një deklaratë email për narcity.com, Phillips shprehu keqardhje të thellë për vendimin për të shkuar në St. Barts në Karaibe në mes të shpërthimit të rasteve të coronavirusit dhe urdhrit për popullsinë për të qëndruar në shtëpi. Phillips shkoi në ishullin tropikal më 13 dhjetor, pas përfundimit të sesionit legjislativ.

‘Po rregulloj kthimin e menjëhershëm në Ontario dhe do të nis karantinën 14-ditore sapo të mbërrij’, bëri të ditur ministri.

Kryeministri Doug Ford tha të martën se ishte shumë i zhgënjyer nga vendimi i ministrit për t’u larguar nga vendi.

‘I thashë ministrit se vendimi i tij për të udhëtuar është krejtësisht i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet përsëri, nga ai apo ndonjë anëtar tjetër i kabinetit apo parlamentit tonë’, shkroi Ford, pa specifikuar nëse kishte pasur dijeni për udhëtimin para se Phillips të largohej.