Shkarkimi i mjekut, Vasili: Rama rikthen nenin për agjitacion dhe propagandë

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili ka reaguar për shkarkimin nga puna të mjekut Ilir Allkja.

Vasili shprehet se mjeku u ndëshkua për qëndrimet e tij kritike që ka mbajtur lidhur me mënyrën e menaxhimit të pandemisë.

Në një postim në Facebook, Vasili shton se largimi për këto motive nga puna është i njëjtë më modelin e diktaturës që ndalonte njerëzit të flisnin.

Deklarata për mediat e Nënkryetarit të LSI-së, Petrit Vasili

Të nderuar qytetarë dhe qytetare!

Sot i gjithë publiku është tronditur nga një akt i shëmtuar dhe i paprecedentë i largimit nga puna të mjekut Ilir Allkja, mjek i urgjencës spitalore në QSU. Është e pabesueshme dhe e paimagjinueshme për çdo qytetar që të mendojë se në momentin më të vështirë të një pandemie, ku nevoja për kontributin e mjekëve është më e çmuar se kurdoherë, largohet një mjek nga puna. Për çfarë largohet të nderuar qytetarë?

Nuk largohet për dedikimin në punë, i cili është shembullor, nuk largohet për profesionalizmin që është gjithashtu shembullor, nuk largohet për sjelljen ndaj pacientëve dhe familjarëve të tyre se dhe kjo është shembullore, por largohet sipas nenit të agjitacion dhe propagandës se paska bërë vërejtje  dhe paska kërkuar që të përmirësohen kushtet e trajtimit të të sëmurëve dhe mënyra e punës ndaj qytetarëve dhe pacientëve që kanë problemet me Covid.

Pra për shkak se ka thënë të vërtetën profesionale dhe shkencore largohet nga puna. Jemi pra në ditët më të shëmtuara të nenit të agjitacionit dhe propagandës së partisë së punës, kur njerëzit largoheshin dhe futeshin në burgje.

Njëherazi ju i keni parë skenat hipokrite, vërtetë të pështira të Edi Ramës me një tufë lule, me evokimin si heronj të mjekëve vetëm e vetëm për të hedhur hi syve. Në një moment shumë tragjik për mjekësinë shqiptare, dje një koleg tjetër humbi jetën, janë 30 mjekë që kanë humbur jetën. Në raport me numrin e përgjithshëm të mjekëve që ka Shqipëria, ky numër mjekësh është nga më të lartët në botë, pa krahasime me Europën.

Mjekët jo vetëm që nuk mbështeten, nuk ndihmohen, por stigmatizohen për të vërtetat që thonë. Praktikisht rasti i doktor Ilir Allkjas është një betejë e jashtëzakonshme e vërtetë ndërmjet dimensionit thelbësor, ajo e cila mban demokracinë në këmbë, pra thënies së të vërtetave me qëllim që ato të përmirësohen dhe të ndreqen dhe shtypja apo asfiksimi i çdo të vërtete nga Edi Rama, vetëm e vetëm që këto të vërteta mos të dalin.

Edi Rama jeton vetëm me mashtrime të shifrave dhe fakteve, pavarësisht se humbasin jetë njerëzish. Jeta e njerëzve nuk e preokupon fare. Nga dje në pardje shifrat e pandemisë lëvizin me 80%,. Në datën 28 nëntor u bënë vetëm 1500 testime, duke i ulur ato 45% dhe kishte vetëm 313 raste të reja.  Një ditë më pas, pas kritikave tona shumë të forta, testimet u rritën dhe shkuan 2600, e numri i të infektuarve u rrit me 80%.

Pra shifrat në raport me realitetin janë një manipulim i vërtetë. Realiteti është ndryshe, e shifrat që evidentohen janë ndryshe, sepse Edi Rama nuk kërkon të shpenzojë në testime, në gjurmim, në trajtim, të vendosë fonde të mëdha ashtu sikurse ka vendosur Kosova, miliona euro për të negociuar në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Të negociojë drejtpërdrejt me vaksinat e reja që u prodhuan, si ajo që u miratua në Angli dhe që është me një çmim më të lirë, por kujdeset që edhe në prag të Vitit të Ri, të kësaj feste e cila vjen më e trishtë se çdo herë tjetër tek shqiptarët, të largojë një mjek nga puna, jo për dedikimin, zellin e përkushtimin e tij, por se tha të vërtetën.

Është fare e qartë që e gjithë pandemia ishte një provë e shëmtuar se si një Kryeministër përpiqet të manipulojë, përpiqet të fshehë duke harruar e duke bërë më të shëmtuarin e akteve që mund të bënte një njeri, që të luajë me jetën e njerëzve. Çdo shifër e fshehur, çdo mbyllje e gojës së të vërtetës për të qenë më mirë e për t’u zgjidhur më mirë do të thotë jetë dhe shëndet njerëzish.

Është fare e qartë që zgjidhja e vetme në këtë situatë ku goja e mjekëve mbyllet me dhunë pasi Ilir Allkja nuk është i pari mjek që largohet për shkak se thotë të vërtetën dhe pikërisht në QSU, ku një drejtor anonim, asgjë, një hiç ngjallet dhe bëhet i dukshëm për publikun shqiptar me veprimin e fëlliqur të heqjes së një mjeku. Pasi nuk ka dalë gjëkund, nuk e ka parë njeri në 10 muaj pandemi drejtorin e qendrës më të madhe spitalore të vendit, i cili nuk ekziston, është thjesht dhe vetëm një dekorator i show-t të radhës që do të bëjë Edi Rama me dhënie lulesh mjekëve dhe me kthim kurrizi sapo xhirimet përfundojnë.

Sigurisht që Ilir Allkja dhe tërë mjekët e tjerë intelektualë nuk janë vendosur në këtë krah, por janë vendosur në krahun e pacientit, të të sëmurit, të pacientit dhe duan ta mbrojnë duke thënë të vërtetën, se mos marrja e masave mbrojtëse ka shkaktuar që edhe qendra më e madhe spitalore universitare të humbasë vetë mjekë, mjekë të shkëlqyer pasi mungesa e madhe e këtyre masave, mjeteve mbrojtëse, dezinfektimeve masive, barna me bollëk e të tjera, ato që donte kjo pandemi, nuk u morën kurrë. Dhe zgjidhja e vetme që ka zgjedhur Edi Rama është mbyllja, taposja e gojës, sepse e vërteta është armiku më i madh, vdekjeprurës për një mashtrues dhe një hipokrit si Edi Rama.

Është e qartë se 25 prilli është një ditë e madhe, pasi duhet të kemi një referendum popullor, në radhë të parë për demokracinë, për fjalën e lirë, misionin e qenësishëm, themelin, shtyllën kurrizore të kësaj demokracie dhe për barazinë përpara ligjit.

25 prilli patjetër ka për të qenë grushti më i rëndë, një grusht vdekjeprurës për tërë këtë skotë, këtë tufë të Rilindjes, e cila e urren demokracinë, do të fshehë të vërtetën, fjalën e lirë, gojën e njerëzve dhe njëherazi do të vazhdojë të ecë në pandëshkueshmërinë, pra të bëjë zullume, të fshehë të vërteta, të rrëmbejë para, të rrëmbejë koncesione, t’u mbyllin gojën njerëzve dhe të mos ndëshkohen.

Pra, kjo ditë është shumë e afërt dhe shembulli i Ilir Allkjas që dënohet jo për dedikimin dhe përkushtimin, por se tha të vërtetën, është një shembull i cili duhet të jetë në mendjen e të gjithëve si një reflektim i fortë për 25 prillin që na pret.