50% imunitet/ Rama e 'zgjidh' vaksinën dhe pandeminë me Gjinushin

Mëngjesin e sotëm, shqiptarët më në fund mësuan diçka nga Akademia e tyre e Shkencave. Nuk ishte lajmi që prisnin në rrjetet sociale, ku kreu i Akademisë, Skënder Gjinushi portretizohet si njeriu që do të zbulojë vaksinën kundër virusit të ri.

Por ishte sërish një lajm që i habiti mediat. Mbi 50 përqind e banorëve në Tiranë kanë imunitet kundër koronavirusit. Në qytetet e tjera shifra është mbi 25 përqind.

Të dhënat janë më shumë se befasuese dhe tregojnë se po arrijmë gradualisht imunitetin e tufës.

Sipas ekspertëve të Bloomberg, imuniteti i tufës për Covid arrihet nga 55 deri në 82 përqind.

Por përse shifrat që jep ASH ngjajnë të pabesueshme dhe qesharake njëkohësisht?

Suedia, i vetmi vend që nuk përdori asnjë masë kufizuese për koronavirusin, mendohet se ka një nivel të imunitetit që shkon deri nga 10 deri 15 përqind. Vende të tjera, shumë më të prekura, e kanë më të ulët përqindjen e imunitetit të tufës.

Në këtë mënyrë, falë Skënder Gjinushit, Shqipëria po e zgjidh shumë shpejt imunitetin e tufës dhe me këtë rast edhe çështjen e vaksinës.

Kjo pasi ekspertët e ASH thanë se vaksinën do e marrin ata që nuk e kanë kaluar virusin. Pra i bie një përqindje e vogël.

Për ironi, kjo përqindje kaq e lartë e imunitetit të tufës në Tiranë bie krejt në kundërshtim me shifrat e ulëta të infektimit dhe vdekjeve që ka paraqitur qeveria deri më tani.

Po kush po pyet më për shifrat. Rëndësi ka që për fushatë t’i jepet zgjidhje pandemisë dhe vaksinës me një dorë.

Falë kryeshkencëtarit Skënder Gjinushi!