Superliga mbyll vitin 2020, ndeshjet që do të luhen sot

Kategoria Superiore e mbyll vitin 2020 me ndeshjet e javës së 12-të, që luhen të gjitha këtë të mërkurë.

Katër sfida do të nisin në orën 13:45, ndërsa takimi përmbyllës, mes Kukësit dhe Teutës, në 16:45.

Vëmendjen kryesore e merr pa dyshim klasikja e futbollit shqiptar, Tirana-Vllaznia (13:45), pasi përplasen kampionia në fuqi me ekipin që kryeson bindshëm kampionatin.

Shkodranët kanë befasuar në 11 javët e para jo thjesht me rezultate, por edhe me lojë. Madje përballja e parë e zhvilluar në “Loro Boriçi” ishte për vitrinë për vetë spektaklin e dhuruar në fushën e blertë.

Kuqeblutë e realizuan golin e fitores 3-2 në kohën shtesë me një ish-bardheblu, si Ismael Dunga, duke i rezervuar një debutim të hidhur Nevil Dedes.

Një tjetër përballje interesante do të luhet në Laç mes kurbinasve dhe Partizanit.

Interesant fakti që të kuqtë do të tentojë t’i mundë një ish, si Shpëtim Duro, që u përzgjodh nga presidenti Pashk Laska për të çuar përpara një projekt me objektiva madhorë, i nisur me Cungun në stol.

Takimi i fazës së parë u mbyll pa gola, por vështirë që pikët të ndahen edhe në Laç, ku vendasit do të tentojnë gjithçka për të marrë fitoren pas humbjes së fundit me Kastriotin.

Dy sfidat e mbetura të orës 13:45 janë Skënderbeu – Bylis dhe Apolonia – Kastrioti.

Skuadrat pritëse, Skënderbeu dhe Apolonia, që mbyllin renditjen e Superiores, janë nën presionin rezultatit, pasi për momentin konsiderohen skuadrat favorite për të rënë nga kategoria.

Takimi përmbyllës i javës së 12-të, Kukësi – Teuta, që do të nisë në orën 16:45, konsiderohet një përplasje direkte për titull, edhe pse rezultatet e të dyja skuadrave në 11 javët e para lënë pak vend për dyshime.

Kukësi kërkon të ngrejë kokë me Hallaçin në stol pas largimit të Skënder Gegës, si rrjedhojë e humbjes së thellë 4-1 përballë Partizanit.

Statistikat e deritanishme tregojnë se “Djemtë e Detit” janë më rezultativë në ndeshjet jashtë, teksa kanë grumbulluar 11 pikë në 5 transferta, duke qenë skuadra e vetme që nuk ka pësuar humbje (në Niko Dovana ka barazuar 6 ndeshje radhazi).