‘Anonim Të Lutem’ dhe anonimët e paguar

Nuk të kalon as një pesëminutësh kur lundron nëpër rrjetet sociale dhe në shumë mesazhe që qytetarët u nisin mediave apo dikujt që ka ndjekës të shumtë, për probleme të ndryshme, halle e derte, akuza apo denoncime, në fund të mesazhit shkruhet dhimbshëm, “Anonim Të Lutem”.

Pse të kenë frikë shqiptarët të thonë të vërtetat pa iu dridhur qerpiku, pa emocione e pa pasur nevojë të fshehin emrin, fytyrën adresën apo numrin telefonit.

Pse të kenë frikë të thonë hallin që i ka nxënë e nuk iu ikën, të thonë çiltër mesazhin e tyre, mendimin e tyre për gjithçka që mendojnë e që i rrethon si tel me gjemba.

Akoma edhe pas 30 vjetësh tranzicion, shqiptarët kanë frikë. Sidomos këto 7 vitet e fundit, frika ka qenë e madhe. Nëse bën një vëzhgim të thjeshtë e kupton rritjen e frikës kur shikon se sa shumë janë shtuar njerëzit që citojnë vetveten me “Anonim Ju Lutem”. 

Pa emër, sepse kanë frikë ta thonë, ta shkruajnë.

Po nga kush kanë frikë?

Disa nga tekstet e mesazheve që shoqërojnë anonimatin, janë: “Këta të bëjnë gjëmën”, “të fusin në burg për një faturë dritash”, “të heqin nga puna”, “nuk të bëjnë asnjë shërbim nëse u nxjerr të palarat”, etj, etj... Pra frikën e kanë nga shteti që në fakt duhet ti mbrojë që të mos kenë frike dhe të zgjidhë hallet e tyre të çfarëdo lloji qofshin ato.

Po pse duhet të kesh frike të flasësh e të denoncosh nëse ke fakte. Me dhjetëra zbulime abuzimesh janë bërë nga këto denoncime duke treguar se shumica e rasteve të publikuara “anonim” janë krejtësisht të sakta dhe të vërteta. 

Në vendet perëndimore nuk e kanë një frikë të tillë. Nuk më ka rënë shpesh të shikoj për të mos thënë fare, një përsëritje kaq të madhe, për të ruajtur anonimatin, autorësinë e një denoncimi për një hall, për një shkelje, për një kërkim të drejtës. 

Nuk e kam kuptuar asnjëherë se pse duhet të jenë kaq shumë njerëz që duan të mos zbulohen. Dhe ata nga frika zgjedhin anonimatin. E gjëja më e tmerrshme në këtë betejë pa emra është së nuk shkojnë në institucione sepse nuk kanë pikën e besimit.

Terrori i pushtetit e sjell një gjë të tillë. Frika e reprezaljes nga pushteti i nxit njerëzit që duke e ditur çfarë ka ndodhur në diktaturë mund t’u ndodhë edhe sot. Kjo edhe për shkak se e shohin qartë se kush i qeveris.

“Anonim Të Lutem”, është një klithje shpirti dhe dhimbje njëkohësisht. Eshtë një akuzë e rëndë për qeverisjen aktuale. Situata është shumë stresuese deri në krizë. Dhe në sulmin ndaj të vërtetave që publikohen nga “Anonim të lutem”, qeveritarët kanë shkuar deri në atë pikë se kur thua diçka të qartë, denigrohesh, shahesh, fyesh, në mënyrë barbare dhe shpellarë, ose nga mediat ose nga ushtarët e babëzitur “për kocka” të bodrumeve të Kryeministrisë ose Bashkisë, të komanduar nga Edi Rama dhe Erion Veliaj.
Sepse përballë dhimbjes së shpirtit të njerëzve që kanë frikë të dalin publikisht dhe shkruajnë poshtë mesazheve, “Anonim të Lutem”, ka një ushtri “fidanësh sigurimi” që të turren me sharje e fyerje në mënyrë që të shfryjnë të vërtetën që vjen dhimbshëm nga “Anonim Të Lutem” dhe që është një akuzë e ashpër dhe e qartë për qeverinë.

Pra këta “fidanët” duhet të mbrojnë nderin dhe surratin e qeverisë dhe qeveritarëve të ngrefosur me bëma vjedhje tenderash dhe PPP-sh. Janë anonime të mbrojtur nga zyrat e shtetit e që kanë si detyrë të degradojnë jo vetëm anonimet hallexhinj, por edhe ata që pa frikë tregojnë hapur për abuzimet e pushtetit, aspak ne mënyrë anonime.

Këta anonimet e bodrumeve janë të qetë, paguhen mirë, biles kanë edhe shërbim ekstra transporti me makina, punojnë natën dhe ditën, 24 orë janë hapur. Dhe askush nuk e di qartë nëse paguhen me paratë e taksapaguesve shqiptare apo me paratë e vjedhura nga taksapaguesit shqiptarë. Këta nuk kanë frikë e prapë fshihen pas anonimes pse mbrojnë babëzitjen qeveritare.

Kjo është diferenca e madhe ndërmjet këtyre anonimëve në bodrume dhe anonimëve hallexhinj që nuk kanë ku të denoncojnë hallin e tyre dhe e ndajnë atë me hallexhinj të tjerë në rrjetet sociale apo në media. Por edhe ne këtë rast anonimët “fidanë” mbijnë si hithra që të degradojnë çdo denoncim.

Shteti ka injektuar frikë dhe terror. Kjo është me keq se diktatura dhe 25 Prilli duket shumë larg.

Kur vjedh qeveria shtohen edhe hajdutët qeveritarë por shtohen edhe ata që kanë frikë. Pra shtohen “Anonim Ju Lutem”.  Sepse kjo qeveri të vret, të dhunon, të prish shtëpinë, të merr tokën, e pastaj edhe të burgos. Prandaj shyqyr që janë rrjetet sociale e flasin njerëzit, por anonim...

Mediat po ngordhin avash - avash. Sistem drejtësie nuk ka, kontrollohet nga qeveria e njerëzit nuk dinë ku të përplasen për të reaguar dhe kërkuar të drejtën e tyre. Fshihen pas frazës “Anonim të Lutem”. Kjo sjell avash avash fundin, vdekjen e demokracisë.

Dhe shenjat janë kuptimplota, mjeku Ilir Allkja që nuk foli aspak “Anonim” u pushua nga puna.

Fjala e lirë që po vritet përditë është sinjali i fundit dhe dega e fundit ku mund të kapesh në trungun që po udhëton nëpër lumë për të mbërritur në det. Dega e fundit e shpresës se mund të shpëtojmë diçka apo dikë që të kemi çfarë t’u themi atyre që vijnë më pas se çfarë ndodhi me demokracinë që e ëndërruam si gjithë Europa por po del shëmbëlltyrë e frikës falë “Rilindjes”.

Prandaj 25 Prilli duket shumë larg.

Nëse e publikoni këtë që shkrova më lart “Anonim Ju Lutem”.