COVID-19/ Anglia rrezikon të pezullojë futbollin për 2 javë

Edhe pse tashmë në Britani prej disa javësh është duke u përdorur vaksina kundër COVID-19, sërish numri i vogël i dozave nuk po mundet të ndalojë atë që mund të konsiderohet si një valë e tretë.

Në këtë pikë, nuk mund të shpëtojë as bota e futbollit, teksa tashmë një ndeshje është shtyrë.

Bëhet fjalë për Manchester City-Everton, teksa te “Qytetarët” janë bërë disa persona të infektuar dhe aktualisht po marren masat që virusi i rrezikshëm të mos shpërndahet më shumë.

Duke parë këtë situatë, presidentët e klubeve angleze janë duke menduar për një pauzë dyjavore të kampionatit, si për t’i shpëtuar një infektimi më shumë në radhët e futbollistëve e më pas të rrezikojnë shtyrjen e ndeshjeve, çka do të sillte vetëm probleme me kalendarin.

Tashmë, pritet të merret një vendim, por COVID-19 rrezikon seriozisht të mbyllë futbollin anglez të paktën për dy javë.