Debate në KQZ: Mazhoranca dhe qeveria po shkel rregullat e fushatës

`Komisioni Rregullator` i Komisionit Qendror i Zgjedhjeve ka nisur një mbledhje këtë të mërkurë ku debati është përqendruar te shkeljet që po bën mazhoranca në lidhje me vendimin e KQZ për të kufizuar qeverinë 4 muaj para 25 prillit për të dhënë koncesione dhe kryer veprimtari të tjera në funksion të fushatës.

E para e ka ngritur shqetësimin përfaqësuesja e PD në KQZ, Helga Vukaj, e cila duke iu referuar deklaratave të djeshme të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u shpreh se kjo e fundit duke u kamufluar me fjalën e 'tender' po lançon koncesione të tjera kur kjo gjë tashmë i ndalohet.  

"Do doja të veçoja një lancim që sapo e  dëgjova në disa media i cili është pikënisje e një trumbetimi , një prej ministrave të kabinetit, që në kamuflimin e fjalës tender fsheh një koncesion ose lançon koncesione të reja. Palët nuk e kanë konsideruar aktin tonë. Duhet vëmendje nga komisioneri", tha ajo.

Gjithashtu një përfaqësuesi tjetër i opozitës, Muharrem Çakaj, ka denoncuar një prej deputetëve të PS-së, Bujar Çela, i cili sipas tij ka shpërndarë leje të legalizimit.

"Në datë 25 ka hyrë në fuqi akti i miratuar nga Komisioni Rregullator. Në datë 26 më ka ardhur një denoncim për një deputet që jep leje legalizimi. Jo më larg se dje, i njëjti deputet i PS shpërndarjen e lejeve të legalizimit e ka kryer sërish. Është veprimtari e ndaluar, ajo cfarë na bën më shumë çudi është se ç'punë ka deputeti me një dokument zyrtar. Të hetoni këtë akt të përsëritur. Besoj se ky rast është denoncuar në ndërfaqen e raportimit", tha Cakaj.

Me këtë shqetësim dhe denoncim është bashkuar edhe kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.  

"Është absolutisht e ndaluar. Nëse ka një pikë të qartë është moslejimi i dhënies së lejeve të pronësisë për qëllime elektorale. Shpërndarja e lejeve të legalizimit nuk është aspak përgjegjësi e deputetit. Jam dakord me konstatimin tuaj. Çdo angazhim i kujto tjetër është i dënueshëm nga ligji dhe nga pikëpamja morale është një gjë e shëmtuar", deklaroi ai.

Duke filluar nga data 25 dhjetor, qeveria e ka të ndaluar të japë kontrata koncesionare dhe PPP, vendim i marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për 4 muajt e ardhshme deri në datën e zgjedhjeve.

Një tjetër çështje për të cilën KQZ ka dhënë dakordësinë është dhe ndalimi i përdorimit të administratës zgjedhore në fushatë. Qeveria ka të ndaluar gjithashtu promovimin në media dhe publik të një sërë aktivitetesh, përfshirë dhënien e çelësave të shtëpive, lejeve të legalizimit etj. Nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të konstatojë që nëse një veprimtari është e ndaluar ka të drejtën që ti drejtohet institucionet që po zhvillon këtë veprimtari ta ndërpresë, dhe më pas autoritetit të medias që këto aktivitete të mos bëhen publike. Autoriteti i medias më pas duhet tu çoj informacion medieve, për aktivitetet e ndaluara.