Hoxhaj: Basha, mbështetës i madh i Kosovës! Në vitin 2008 ishim në...

Politikani kosovar Enver Hoxhaj, Kryetari në detyrë i PDK-së është takuar sot në Tiranë me Kryetarin e PD-së, Lulzim Bashën, për të cilin ka dhënë vlerësimet më të larta për mbështetjen që në vite i ka dhënë Kosovës.

“Është kënaqësi e veçantë që sot takova kryetarin e PD-së, zotin Basha, - tha Hoxhaj për gazetarët pas takimit. -  Çfarë tha Kryetari (Basha) ishin temat që ne kemi biseduar në këtë takim të përbashkët. Unë e falenderoj zotin Basha për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në të gjitha pozitat që ka pasur deri tani.

Është e vërtetë që kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me zotin Basha edhe në kapacitete e dikurshme si ish-ministra të jashtëm në një kohë kur Kosova nuk ka pasur Ministri të Jashtme dhe unë isha Ministër i Arsimi.

E kemi pasur bashkëpunimin e parë në vitin 2008 në Senegal dhe në Dakar, ku kemi bërë përpjekje për të marrë sa më shumë njohje për Kosovën dhe e përmend këtë ngjarje për një arsye se nuk e kisha menduar që në vitin 2020, Kosova e pavarur do ta kishte një vit të vështirë, që krahas pandemisë, krizës ekonomike, Kosova mori dhe një goditje nga Gjykata Speciale dhe kjo ka qenë temë e diskutimit tonë të përbashkët.

Ne mendojmë që faktori politik në Shqipëri duhet t’i japë mbështetje sa më të madhe shokëve tanë në Gjykatë në Hagë dhe i jemi mirënjohës për qëndrimet që kanë mbajtur deri tani , por kërkojmë që edhe në të ardhmen të ketë një konsistencë të tillë meqenëse as Kadri Veseli, as Hashim Thaçi, as Jakup Krasniqi apo Rexhep Selimi, nuk janë si individë në Gjykatë.

Karakteri i luftës, kauza jonë për liri,aspirata jonë për të qenë të lirë dhe sovranë, qëndron prapë Gjykatës dhe shqiptarët kudo që jetojnë, duhet të jenë unikë në raport me këtë temë, meqenëse lufta e drejtë dhe mbrojtëse e UÇK është themel i lirisë, i pavarësisë sonë dhe mund të ketë situata që kjo gjykatë në të ardhmen të përdoret prej kundërshtarëve të shtetit të Kosovës në raport me të ardhmen e Kosovës. Në këtë drejtim duhet të ketë unitet.

Së dyti ju e dini që ne jemi në zgjedhje në Kosovë, sikurse ju në Shqipëri. Pak më herët ndoshta se vëllezërit tanë këtu në Shqipëri do të kemi zgjedhje dhe sigurisht në mes të shkurtit. Unë jam mandatar nga PDK që ta udhëheqë qeverinë e ardhshme të Kosovës dhe jam i sigurt që PDK do të udhëheqë qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Kam qenë gjatë në pozita të ndryshme në Kosovë. Qëllimi im është të kem një mendim të ri dhe një plan të ri strategjik në raport me Shqipërinë sa i takon bashkëpunimit politik, sepse nuk mund të sillemi me parametrat e 2008-ës  se çka të bëjmë në 2020-ën dhe në këtë drejtim do të bëjmë përpjekje maksimale që të dalim me një platformë të qartë sa i takon bashkëpunimit politik.

Por do të kem dhe propozime konkrete që të ketë një integrim të mirëfilltë ekonomik  në mes të ekonomisë në Kosovë dhe në Shqipëri, që të largohen barriera të tjera, që deri më tani kanë qenë pengesë e bashkëpunimit.

Natyrisht që raportet politike në mes të dy shteteve janë vëllazërore. Për ne Shqipëria është një partner strategjik përderisa Kosova është një partner i natyrshëm për Shqipërinë, se është një zgjatje e shtetit, është një zgjatje e Shqipërisë historike dhe si identitet dhe si kulturë, por tani e tutje duhet të mendojmë se cilat duhet të jenë qasjet tona në bashkëpunim në mes të dy vendeve tona.

Së treti, jemi dy shtete me dy kryeqytete, por duhet ta kemi një qëndrim: një qëndrim në raport me Gjykatën Speciale, një qëndrim në raport me raportet tona bilaterale Kosovë-Shqipëri dhe një qëndrim në raport me temat të cilat do t’i ketë Kosova në të ardhmen edhe sa i takon anëtarësimit në NATO edhe sa i takon anëtarësimit në OKB, temës së liberalizimit të vizave ku z. Basha deri tani në të gjitha kapacitetet që ka pas, në të gjitha pozitat që ka pasur, ka qenë një mbështetës i madh i Kosovës. Unë po ndalem këtu. Faleminderit kryetar.”