Basha-Hoxhaj: Shqipëria në krah të Kosovës, duhet qëndrim i unifikuar

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i ka uruar suksese, kandidatit për Kryeministër të Kosovës, kryetarit në detyrë të PDK, Enver Hoxhajt, i cili po zhvillon sot një seri takimesh me liderët e politikës shqiptare.

Pas bisedës që patën në selinë e PD-së, Basha tha: “Pata kënaqësinë të pres sot në seli, ushtruesin e detyrës së Kryetarit të PDK, Dr. Enver Hoxhajn, një politikan i sprovuar, ministër i Jashtëm, Zv.Kryeministër, me të cilin ndaj kujtimet më të mira të angazhimit të përbashkët në procesin e pavarësimit të Kosovës, njohjes ndërkombëtare, anëtarësimit të saj në institucionet ndërkombëtare".

"Sot kemi diskutuar për sfidat me të cilat po përballet Kosova, sfidat që janë të përbashkëta dhe kam përsëritur qëndrimin tim të palëkundur se kontributi më i madh që Shqipëria mund, duhet e do të japë është të qëndrojë fuqimisht në krah të Kosovës, në krah të institucioneve të Kosovës, duke bërë thirrje për një qëndrim sa më të unifikuar të të gjithë faktorëve politikë, duke braktisur çdo axhendë apo synim për keqpërdorim personal të sfidave me të cilat përballet Kosova dhe duke unifikuar vullnetet tona për të dalë edhe njëhërë triumfues mbi këto sfida, duke avancuar procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës, duke insistuar në njohjen e ndërsjellte midis Kosovës dhe Serbisë, si parakusht  për proceset stabilizuese dhe integruese në Ballkan, duke mbëhstetur fuqimisht aspiratat dhe objektivat e Koovës për ehqjen e vizave, anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Europian".

“Kemi folur për një sfidë konkrete, që është ai i përballjes me Gjykatën Speciale. Ky proces nuk duhet lejuar të kthehet në cënim të Luftës së UÇK. Për këtë kërkohet bashkërendim i plotë dhe i gjithanshëm mes Shqipërisë dhe Kosovës. Të gjitha forcat politike në të dy vendet duhet të japin kontributin e tyre dhe të jenë njëzëri në mbështetje të saj. Kjo është një sfidë për avancimin e Kosovës në rrugën e integrimit”, tha Basha.