Vaksina anti-Covid e Sinopharm, 79% efektive, kërkon miratimin në Kinë

Një vaksinë e zhvilluar nga “China National Biotec Group (CNBG)” është 79,34% efektive për mbrojtjen e njerëzve nga COVID-19 dhe kompania po kërkon miratimin nga enti rregullator për përdorim të gjerë publik në Kinë, tha zhvilluesi të mërkurën.

Shkalla e efikasitetit, bazuar në analizën e ndërmjetme të provave klinike të Fazës 3, është më e ulët se shkalla 86% për të njëjtën vaksinë të shpallur nga Emiratet e Bashkuara Arabe më 9 dhjetor, bazuar në të dhënat paraprake nga provat atje, njofton Reuters.

Një zëdhënëse e kompanisë nuk pranoi të shpjegonte mospërputhjen dhe tha se rezultatet e hollësishme do të publikohen më vonë, pa dhënë një afat kohor.

Ka pasur publikime fragmentare të të dhënave të efikasitetit për vaksinat kineze të COVID-19, të cilat po merren në konsideratë nga shumë shtete në zhvillim për fushatat e vaksinimit masiv.

Ekspertët e shëndetit paralajmërojnë se rezultatet e ndryshme mund të minojnë besimin tek këto vaksina.

Studiuesit turq thanë të enjten rezultati i tyre i ndërmjetëm tek një vaksinë COVID-19 e zhvilluar nga Sinovac Biotech i Kinës tregoi 91.25% efikasitet, por u shoqërua nga një shifër konfuze në të njëjtën ditë nga Brazili i cili tha se efikasiteti i vaksinës ishte midis 50% dhe 90%.

Vaksina nga CNBG është ndër pesë kandidatët më të përparuar nga Kina për sa i përket zhvillimit dhe është përdorur në programin e emergjencave të vendit, që çoi në vaksinimin e qindra mijëra njerëzve që nga korriku.