Ligjvënësi i sapozgjedhur në Kongresin Amerikan, 41 vjeç, vdes nga Covid

Një ligjvënës amerikan i zgjedhur kohët e fundit ka vdekur nga Covid-19, anëtari i parë i Kongresit Amerikan që vdiq nga sëmundja. Republikani Luke Letlow, 41 vjeç, ishte zgjedhur si  përfaqësues për rajonin e 5-të të Luizianës dhe pritej të bënte betimin të dielën.

Ai njoftoi më 18 dhjetor se kishte rezultuar pozitiv për koronavirus dhe u shtrua në spital menjëherë më pas.

Guvernatori i Luizianës John Bel Edwards urdhëroi që flamujt të valëviteshin në gjysmë shtizë në ditën e varrimit të Letlow.

"Me zemër të lënduar i shpreh ngushëllimet tona familjes së Kongresistit të zgjedhur Luke Letloë për vdekjen e tij pas një beteje me Covid-19", shkroi Edwards në Twitter. "Unë jam i pikëlluar që ai nuk do të jetë në gjendje të shërbejë për njerëzit tanë si përfaqësues i SHBA, por jam edhe më i tronditur për familjen e tij të dashur ".

Letlow la pas gruan e tij Julia Barnhill Letloë dhe dy fëmijët e tyre të vegjël. Letlow u shtrua në spital në 19 dhjetor për shkak të ndërlikimeve nga koronavirusi. Gjendja e tij u përkeqësua dhe më 23 dhjetor ai u transferua në një njësi të kujdesit intensiv në një spital në Shreveport, ku vdiq të martën.

"Familja vlerëson lutjet e shumta dhe mbështetjen gjatë ditëve të kaluara, por kërkon privatësi gjatë kësaj kohe të vështirë dhe të papritur," tha familja në një deklaratë të botuar në Monroe News-Star.