Barcelona nuk ia del pa Messin, katalanasit frenohen nga Eibar

Skuadra e Barcelonës e ka mbyllur keq vitin 2020.

Pa Lionel Messin në fushë, katalanasit nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 me Eibar në “Camp Nou”, në ndeshjen e vlefshme për javën e 16-të në La Liga.

Blaugranët e nisën mjaft vrullshëm sfidën, ku pas 8 minutave lojë fituan një penallti, të cilën e mori përsipër sulmuesi, Martin Braithwaite. Danezi nuk u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke e dërguar topin jashtë porte.

Braithwaite mendoi të kompensojë penalltinë e humbur duke shënuar për Barçën pas asistit të Junior Firpo (i 25-ti). Mirëpo, arbitri i takimit e anuloi golin për pozicion jashtë loje.

Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa në të dytën katalanasit u befasuan nga Eibar. Në minutën e 57’ ishte Garcia Kike ai i cili shënoi për miqtë, pas gafës së mbrojtësi të katalanasve Ronald Araujo.

Barcelona u hodh e gjitha në sulm dhe pas 10 minutash arriti të barazonte rezultatin, me anë të Ousmane Dembele, i cili u rikthye me gol pas një mungese 3 javore.

Në minutat e mbetura Barça tentoi të shënonte golin e fitores, por pa e arritur qëllimin, duke dalë me një pikë nga kjo sfidë.  Katalanasit mbetën të 5-tët në renditje, 7 pikë pas Atletico Madrid që ka luajtur dy ndeshje më pak. Eibar, të 17-tët në renditje, marrin një pikë mjaft të vlefshme.