'Deti'/ Greqia në festë: Rama po na mbron për zgjerimin detar

Grekët janë të lumtur pasi Edi Rama po i mbaron për marrjen  e 12 miljeve det nga Shqipëria. Në vend që Rama të dilte kundër, ai i është bashkuar grekëve, duke u dhënë të drejtë për këtë marrje deti.

Mediat greke thonë se është një mesazh për Ankaranë nga Tirana, deklaratat e bëra nga kryeministri shqiptar Edi Rama lidhur me çështjen e detit mes dy vendeve.

 ‘Protothema’ citon kryeministrin Rama kur tha se ‘Greqia nuk ka reaguar kur Shqipëria zgjeroi vijën e saj territoriale me 12 milje në vitin 1990’.

Pas fjalëve që tha Rama sot në konferencën e fundvitit me gazetarët, ‘Protothema’ shkruan:

‘E drejta e Greqisë për të zgjeruar sovranitetin e saj në 12 milje detare në Ishujt Jon deri në Kepin Tainaro në Peloponez mbrohet nga Kryeministri shqiptar, Edi Rama’.

Media greke kujton reagimet politike që pasuan në Shqipëri pas lajmit se në ditën e Krishtlindjes, qeveria greke miratoi me dekret zgjerimin me 12 milje në detin Jon.

‘Menjëherë pas miratimit të dekretit presidencial, në Shqipëri shpërtheu një konfrontim politik me opozitën që sulmon kryeministrin, duke e akuzuar atë për ‘bisedime të fshehta’ me Greqinë dhe tërheqje për të drejtat e Shqipërisë.

Kjo kritikë është hedhur gjatë gjithë periudhës pas njoftimit të Kryeministrit Grek, Kyriakos Mitsotakis, nga foltorja e Parlamentit për ushtrimin e të drejtës së vendit tonë. Edi Rama, i cili ra dakord me Athinën për ta çuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë çështjen dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet përkatëse midis dy vendeve, akuzoi kritikët e tij si ‘injorantë’ që hedhin ‘baltë nacionaliste’.

Kryeministri shqiptar tha se kritikët e tij po përpiqeshin të merrnin përfitime politike duke e akuzuar atë, ndërsa vuri në dukje se ishte e pamundur të arrihej një marrëveshje e fshehtë pas dyerve të mbyllura në Evropën e shekullit 21″, shkruan Protothema.

Artikulli i Protothema vijon më tej duke iu referuar deklaratës së kryeministrit Rama se Shqipëria nuk ka asnjë lidhje me dekretin e Greqisë për zgjerimin e vijës ujore me 12 milje.

 ‘Vlen të përmendet se Edi Rama komentoi se në vitin 1990, kur Shqipëria kishte vendosur të zgjaste sovranitetin e saj në 12 milje detare, Greqia nuk kishte reaguar, duke theksuar se edhe tani Tirana nuk ka asnjë arsye të përfshihet në këtë vendim të Athinës.

Kujtohet se tetorin e kaluar, Greqia dhe Shqipëria arritën një marrëveshje për të referuar çështjen e zonave detare në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, gjatë takimit të Ministrit të Jashtëm Nikos Dendias me Kryeministrin e vendit fqinj, Edi Rama. Ministri Dendias më pas kishte theksuar në deklaratat e tij pas takimit se ‘Duke shqyrtuar hollësisht çështjen, ne ramë dakord që Greqia dhe Shqipëria së bashku ta paraqesin këtë çështje në drejtësinë ndërkombëtare, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë’.