Zaniolo: Falënderoj Interin që më shiti te Roma, do kthehem në kohë për Europianin

Dy dëmtime në ligamentin kryqëzor brenda pak muajsh: viti 2020, që po mbyllet, ishte një makth për Nicolò Zaniolon, i cili është i detyruar ta nisë nga e para me një vullnet të paepur për një 21-vjeçar. Xhevahiri i Romës ka dhënë një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, teksa thekson se nuk ka asnjë keqardhje për klubin e Interit, që në vitin 2018 e shiti te verdhekuqtë si pjesë e transferimit të Nainggolanit në Milano.

“Mendoj se Interi gjithmonë ka nevojë për lojtarë të gatshëm e mbase në atë moment unë nuk isha i tillë. I falënderoj, sepse atëherë, duke më shitur te Roma më dhanë mundësinë të shkoj në një qytet të shkëlqyeshëm dhe në një klub të fortë. Të luash këtu është e mrekullueshme, për tifozët, për qytetin. Jam i kënaqur që jam verdhekuq”.

Debutimi me Romën erdhi në një ndeshje Championsi, kundër Realit në “Santiago Bernabeu”.

“Di Francesco kishte një takim në 11 të paradites, më ndaloi dhe më tha: A je gati të luash sonte? Unë thashë: Po. Por ishte një po e thatë. Pasi e thashë, fillova të dridhesha. U ngjita në dhomën time dhe deri në orën 19.45 pasdite, kur do të nisej autobusi, nuk fjeta fare”.

Ndër gëzimet më të mëdha të karrierës së shkurtër të Zaniolos, ishte ftesa në ekipin kombëtar.

“Isha në shtëpi me miqtë, sepse ata na kishin dhënë disa ditë pushim në Romë. Isha në dhomën time, hapa Sky-n, kanalin 200 dhe shoh skuadrën e Mancinit. Emri im ishte në listë, thuhej Zaniolo. Mendova: si është e mundur kjo? Sigurisht që ata kanë bërë ndonjë gabim sepse unë jam nën 21 ose nën 20 vjeç. Pas 20 minutash kam marrë një telefonatë nga menaxheri i ekipit kombëtar, i cili më thotë: Nicolò, doja të të përgëzoja. Të hënën, në Coverciano. Telefonova prindërit e mi dhe shpërtheva në lot”.

Kthimi në fushë është planifikuar pranverën e ardhshme, në kohën e duhur për të marrë pjesë në Europian.

“Nuk e kam me nxitim, po punoj mirë. Çdo ditë vij në Trigoria. Pas vizitës së fundit në Innsbruck ngarkesa tani do të rritet dhe kur këmba e djathtë dhe e majtë të kenë të njëjtën forcë dhe mendja ime të jetë gati, do të kthehem me qetësi. Kam një karrierë përpara, nuk duhet të kapemi pas dëshirës për të luajtur 2-3 ndeshje. Është në lojë e ardhmja, karriera. Kur do të kthehem? Pak a shumë në prill, në kohë për Kampionatin Europian”.

Lamtumira nga Roma nuk është absolutisht në planet e Zaniolos.

“Jam mirë në Romë, jam në një ekip të shkëlqyeshëm, në një klub të rëndësishëm. Tifozët më duan dhe i dua, klubi më mbështet dhe nuk mendoj për ndryshimin e ambientit. Nuk do të kisha arsye”.