Orges Shehi tregon se kush është ekipi më i dobët nga pretendentët për titull në Superligë

Orges Shehi, ish-trajneri i Skënderbeut dhe Kukësit, mendon se Tirana, kampione në fuqi, është skuadra më e dobët mes atyre që kanë pretendime për titullin kampion.

Në “Pressing” ai theksoi se bardheblutë gjithsesi duheshin respektuar për faktin se edhe me të rinj, nuk mposhteshin nga kundërshtarë më të fortë në letër.

“Kemi hyrë në fazë interesante të kampionatit. Terrenet krijuan vështirësi. Do ketë ngjeshje deri në fund. Skuadrat do i ndërrojnë vendet vazhdimisht. Kukësi i ndërron gjithmonë lojtarët, por edhe prurjet i ka cilësore. Është problematikë që e kemi prekur shpesh.

Kukësi pësoi gola naivë. Ka mbrojtje të ngadaltë dhe humbin duelet ajrore. Partizani ishte pragmatist, donte pikët dhe ia arriti.

Tirana aktivizon shumë të rinj edhe prej dëmtimeve. Na surprizoi me Kukën në formacion, duke i besuar një ndeshje të rëndësishme. Në grupin e kryesuesve Tirana duket se është skuadra më e dobët. Por me të rinjtë e saj nuk mundet nga të fortët. Muçi rritet çdo ditë, i ka rënë shumë peshë dhe po e mban.

Teuta e fortë, e nisi ndeshjen në disavantazh dhe reagoi. Në fund të dy skuadrat kërkonin triumfin dhe kaluan në aventurë. Teuta aktivizoi shumë sulmues dhe la hapësira mbrapa”, tha Shehi.