FSHF u kërkon klubeve të marrin masa për fushat e stadiumeve

Federata Shqiptare e Futbollit paralajmëron klubet e Kategorisë Superiore dhe të Kategorisë së Parë në lidhje me cilësinë e terreneve në stadiumet ku ato zhvillojnë garën.

Në qëndrimin e saj në faqen zyrtare, FSHF shkruan: “Nisur nga problematika e shfaqur në disa fusha javën e fundit të kampionatit, ku terreni u shfaq në gjendje të rënduar, Federata ka reaguar menjëherë dhe u ka kërkuar klubeve që të marrin masa për të ruajtur dhe mirëmbajtur fushat e stadiumeve ku zhvillohen ndeshjet zyrtare.

Pas konstatimit në terren situata në disa nga fushat e stadiumeve nuk garanton standardet e zhvilluara për zhvillimin e ndeshjeve të kampionatit.

Siç dihet një nga elementët kyç në procesin e licencimit të FSHF për pjesëmarrjen në garat futbollistike është edhe kriteri i infrastrukturës.

FSHF përmes një qarkoreje ka njoftuar të gjitha skuadrat që është e ndaluar të stërviten në fushën e stadiumit, ku edhe zhvillojnë ndeshjen, gjë që ka sjellë më pas rëndim të terrenit”.

Federata do të vijojë me inspektimet gjatë muajit janar 2021 dhe në rast se konstatohet ndonjë klub që shkel këtë rregull, do të ketë sanksione nga Komisioni i Disiplinës së FSHF, deri në pikën që skuadrat nuk do të lejohen të luajnë më në atë terren.