Ronaldo në izolim pas kthimit nga Dubai, Juventusi fillon stërvitjen

Andrea Pirlo nisi punën me futbollistët e tij në seancën e parë stërvitore pas mini-pushimit që morën bardhezinjtë për Krishtlindje.

Tekniku i “Zonjës së Vjetër” drejtoi një sesion midis pjesëve atletike dhe teknike, ndërsa stafi mjekësor u kujdes për vlerësimin e të lënduarve.

Arthur mori një goditje në ndeshjen kundër Atalantës, Chiellini vazhdon të vuajë lëndimet e njëpasnjëshme që e bënë të humbë shumë ndeshje në pjesën e parë të sezonit, ndërsa De Ligt pati probleme në fundin e sfidës ndaj Fiorentinës. Demiral, i cili tashmë ishte rikuperuar para Krishtlindjes, tani synon të jetë në fushë ndaj Udineses, më 3 janar në “Allianz Stadium”.

Situata është ndryshe për Cristiano Ronaldon i cili, pasi u kthye nga Dubai, ku mori çmimin “Lojtari më i Mirë i Shekullit”, do të mbetet në izolim dhe vetëm pas tamponëve të zakonshëm ai do të jetë në dispozicion për t’u kthyer në stërvitje.