'Stres edhe prej Covid-it', Gega flet pas dorëheqjes: E vërteta e largimit nga Kukësi...

Skënder Gega është largimi i katërt si trajner i Superiores në 11 javë. Pas Egbosë, Kolelës dhe Cungut, erdhi radha e Kukësit të kërkojë trajner të ri. Për saktësim, ishte dorëheqje ajo e djeshmja. Këtë e thotë me bindje vetë Gega në intervistën për “Panorama Sport”, pas vendimit për t’u larguar. 

Një pikë në tri ndeshjet e fundit e kanë bindur teknikun që të marrë vendimin përfundimtar për t’u “divorcuar” me nënkampionët. Ai është i kujdesshëm dhe e konsideron dorëheqjen edhe si një akt përgjegjshmërie kur gjërat nuk funksionojnë si duhet në ekip.

Gega, pse u larguat nga Kukësi?

Për faktin se në situata të tilla duhet që dikush të marrë përgjegjësi. Për mendimin tim, humbja me Partizanin ishte e tillë.

“E tillë” në ç’kuptim?

Në kuptimin që nuk mund të vendoset para përgjegjësisë vetëm skuadra. Unë jam njeri që e kam një emër, kam ndërgjegje dhe kam ndjeshmëri për punën që bëj. Mendoj se në një rast si ky duhej të merrja përgjegjësitë që më takojnë.

Vendimi erdhi vetëm pas kësaj humbjeje, apo edhe për shkak se në tri ndeshjet e fundit ekipi ka marrë vetëm 1 pikë?

Natyrisht, unë e shoh situatën, e vlerësoj atë me objektivitet dhe besoj se çdo trajner e kupton kur duhet që të marrë vendime të tilla.

A keni pasur presion nga drejtuesit gjatë këtyre orëve ose edhe para ndeshjes?

Kurrë. Në asnjë rast.

Shpeshherë, presidenti i klubit, Gjici, është edhe pak “i rrëmbyer” kur vjen puna për t’u përballur me humbje të tilla…

Shikoni, unë kam dëgjuar plot histori në lidhje me Kukësin, por me ndershmëri ju them se Gjici ka qenë shumë korrekt me mua. Kam

A keni kontaktuar me Gjicin pas ndeshjes?

Po, pata një bisedë me të dhe ia shpjegova me qetësi se përse e mora këtë vendim.

Çfarë ju tha ai?

Më kërkoi të mos ngutesha sepse në futboll ka edhe situata si kjo, por unë e mendova kështu. Madje, edhe tani që po flasim bashkë, jam i bindur se kjo ishte rruga e duhur.

Pse?

Sepse e përsëris, një trajner e di dhe e kupton kur disa gjëra duhet të ndryshojnë. Nuk mund të ndryshosh gjithë ekipin. Fundja ky është profesioni ynë. Dihet që kur përballesh me situata të tilla, trajneri është ai që merr përgjegjësitë i pari.

Profesor, a kanë ndikuar problemet që ju shkaktoi COVID-i për këtë vendim?

Të them të drejtën, pas asaj që kalova, natyrisht kaq shumë stres nuk më bënte mirë. Tani është koha që edhe të kujdesem pak për veten.

Si e pritën lojtarët largimin tuaj?

Natyrisht, pashë keqardhje në sytë e tyre, por futbolli i tillë është. U mundova t’ua shpjegoj qartë dhe me dashamirësi vendimin që mora. Shpresoj që gjërat të shkojnë më mirë për ta në të ardhmen. I kanë mundësitë.