Idrizi për Syri TV: Rama në kufijtë e tradhtisë kombëtare me detin!

Kryetar i PDIU, Shpëtim Idrizi, në një intervistë për SYRI TV këtë të shtunë, ka deklaruar se moskundërshtimi apo një miratim i heshtur i qeverisë shqiptare në lidhje me vendimin e njëanshëm të Greqisë për t'u zgjeruar 12 milje në detin “Jon”, është në kufijtë e tradhtisë kombëtare.

“Për gjëra kaq të rëndësishme ne informohemi nga mediat greke. Akti i paralajmëruar i Këshillit të Lartë të shtetit grek, i cili miratonte dhe bënte fakt dekretin e Këshillit të Ministrave për zgjerimin e ujërave territoriale të Greqisë në mënyrë të njëanshme te detit Jon drejt Shqipërisë, është një akt i paprecedentë, i njëanshëm i Greqisë, i cili prek direkt interesat dhe integritetin territorial të Shqipërisë. Moskundërshtimi apo një miratim i heshtur i qeverisë shqiptare është në kufijtë e tradhtisë kombëtare.

Greqia që në muajin shtator e kishte paralajmëruar këtë gjë për zgjerimin e ujërave territoriale, kryeministri i Greqisë tha që ne ia kemi paraqitur dhe palës shqiptare bashkë me ministrin e Jashtëm që na vë të gjithëve në dijeni se pala shqiptare na kishte dhënë dakordësinë. Ky është një akt i njëanshëm, pasi kryeministri Rama thoshte në fillim se Greqia ka të drejtë ta bëjë zgjerimin e njëanshëm. Më pas, kur pa të gjithë reagimin e opinionit publik, na tha që Greqia nuk e ka me ne këtë gjë.

Nëse qeveria shqiptare nuk e kundërshton këtë dekret dhe dekretin e Këshillit të Lartë dhe të Këshillit të Ministrave, pra Shqipëria ka të drejtë ta kundërshtojë këtë dekret, gjë që nuk e ka bërë, do të thotë që ne jemi para një miratimi të heshtur të kësaj marrëveshje, e cila prek dhe cenon integritetin territorial shqiptar, dhe se Edi Rama është në kufijtë e tradhtisë kombëtare...

Rama ka harruar agjendën shqiptare. Marrëveshja me Greqinë duhet të niste me heqja e Ligjit të Luftës. Në bisedime nuk përmendet më Çështja Çame, të cilën e kanë hequr edhe nga programi. A thua ia ka lënë Kristaqi Çështjen Çame që kur duhet ta vendosi në agjendë edhe kur nuk do kryeministri mund mos ta fusë në agjendë dhe mos ta ketë parasysh këtë gjë”, tha Idrizi.