Votimi elektronik/ Shpallet tenderi, por si u tentua që të sabotohej

Kur na ndajnë 120 ditë nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur tenderin për identifikimin biometrik.

Burime nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëjnë me dije për gazetën “Panorama” se ditën e enjte u është kërkuar kompanive që të japin ofertat e tyre për realizimin e identifikimit biometrik të votuesve në të gjithë Shqipërinë në zgjedhjet e ardhshme.

Ndërkohë, në ditët në vijim pritet që e njëjta procedurë të ndiqet edhe për tenderin për votimin dhe numërimin elektronik. Ky hap erdhi pasi qeveria akordoi një fond rreth 5 milionë dollarë në një kohë që KQZ-ja kërkoi 16 milionë dollarë vetëm për identifikimin me gisht të zgjedhësve.

Ligjvënësit sanksionuan që tenderi për teknologjinë në zgjedhjeve të bëhet me negocim pa shpallje, por burimet i thanë gazetës “Panorama” se në momentin e parë që u çuan dokumentet për të nisur procedurat në Agjencinë e Prokurimeve Publike, procedura u kthye mbrapsht, duke iu përgjigjur KQZ-së se nuk ka çuar arsyetim të mjaftueshëm për të zhvilluar tenderin me negocim pa shpallje.

Kjo bëri që procesi për nisjen e tenderit për identifikimin biometrik të vonohej edhe më.

Kjo bëhet shqetësuese kur faktori kohë është shqetësimi më i madh i realizimit të projektit për identifikimin biometrik të zgjedhësve. Sipas ekspertëve, për t’u siguruar që projekti është funksional duhet që të gjitha pajisjet të jenë gati 20 ditë para zgjedhjeve.

Ajo që vlen për t’u theksuar është se sa më shumë t’u afrohemi zgjedhjeve, aq më e lartë pritet të jetë edhe fatura nga kompanitë private. Ndërkohë, nga ana tjetër, mësohet se ka pasur interes të shfaqur për projektin në fjalë. Sipas burimeve, janë 6 kompani të cilat kanë krijuar llogari në Agjencinë Kombëtare të Prokurimeve Publike, çka nënkupton se duan të japin ofertat e tyre.

Afati i fundit për kompanitë që të dërgojnë ofertat e tyre është data 5 janar e vitit që vjen. Pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, një qendër votimi do të duhet të ketë të paktën 300 votues nga 200 që duheshin më parë.

Kështu, nga 5274 qendra votimi që ka pasur në vitin 2017, në vitin 2021 pritet që të ketë 5220 QV, ndërsa kompanive kostoja u është kërkuar duke bërë përllogaritjen për numrin e qendrave të votimit që kanë qenë më 2017-ën.