Deklaroi se e kishin plagosur/ Zbardhet 'misteri' i ngjarjes në Dibër

Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur dje në Maqellarë, ku 52-vjeçari Faik Zeqja u paraqit në qendrën shëndetësore me pretendimin se e kishin plagosur me armë zjarri. 

Nga hetimet rezultoi se shtetasi në fjalë po drejtonte kamionçinën në gjendje të dehur dhe në sens të kundërt, dhe pasi kishte zbritur nga mjeti ishte dëmtuar në këmbë.

Në përfundim të  veprimeve të para hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i Faik Zeqjas për veprat penale “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Kallëzim i rremë”.

Me dy emra, 4 vite më parë, Faik (Fatjon) Zeqja u bë i njohur pasi tentoi korruptimin e një prokurori. Zeqja arriti të nxirrte nga komisariati kamionin e bllokuar me dru falë një ryshfeti prej 200 mijë lekësh që ia dha prokurorit Tom Deda. Video u publikua nga një emision investigativ.

NJOFTIMI ZYRTAR

Deklaroi në spital se ishte plagosur me armë zjarri, zbardhet ngjarja dhe vihet në pranga për deklarim të rremë.

Në orët e mbrëmjes  së datës 25.12.2020, shtetasi F. Z., është paraqitur për ndihmë mjekësore në qendrën shëndetësore Maqellarë, i cili pretendonte se ishte plagosur me armë zjarri nga disa persona të pa identifikuar.

Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes dhe nga veprimet e shpejta  e profesionale të kryera nën drejtimin e Prokurorisë ka rezultuar se në aksin rrugor Shupenzë-Maqellarë, shtetasi F. Z., duke drejtuar automjetin tip ‘kamionçinë’, në gjendje të dehur  dhe në sens të kundërt të rrugës, në momentin që ka zbritur nga automjeti, është dëmtuar  në pjesën e këmbës dhe ka qëndruar në mes të rrugës.

Shtetasit F. Z., i është bërë testi i alkoolit me aparatin Drager, i cili ka rezultuar në gjendje të dehur në masën 0.61 mg/l.

Në përfundim të  veprimeve të para hetimore, nga specialistët e Policisë Rrugore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit : F. Z., 52 vjeç, banues në Majtarë, Dibër për veprat penale “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Kallëzim i rremë”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Dibër për  veprime të mëtejshme.