Pse për shqiptarinë është e rëndësishme ardhja e VV në pushtet

Shumica e politikanëve tanë janë me tru ‘të cekët' e me xhepa shumë të thellë!

Nëse e keni vërejtur, te ne të gjithë të rinjtë duan të bëhen ose këngëtarë, ose gazetarë, ose politikanë. Sepse këto profesione mbahen si më të lehtat, ngaqë shumica e këngëtarëve tanë nuk këndojnë me zë, por me trup; gazetarët nuk e thonë atë që kanë parë me sy, por atë që ua thotë partia dhe shumica e politikanëve tanë kanë tru të cekët e xhepa shumë të thellë.

Kryetari i VV është ndër të rrallët që ia kthen dinjitetin politikës, që atë e bën profesion të të mençurve dhe të njerëzve të përgjegjshëm! Dhe kjo është arsyeja pse shumica e politikanëve nuk e durojnë atë dhe pse shumë nga opinionistët tanë duan ta diskualifikojnë, duke e shpallur antiamerikan, majtist e çka jo tjetër.

Thjesht, shumicën e kolegëve të vet politikanë, ai i përball me injorancën e tyre ndërkaq disa opinionistëve ua merr mundësinë që të ndihen superiorë përballë burrështetasve, që besojnë se nuk kanë nevojë për tru me të cilin do të drejtojnë popullin, por për ‘dru’ me të cilin do ta nënshtrojnë atë.  Dhe shumica e burrështetasve tanë janë politikanë batutash, politikanë që mbahen me llafazani, që mbështeten te nëntoka politike, që paaftësinë e vet dhe keqqeverisjen e mbulojnë duke nxitur grindje mes gjithë shtresave shoqërore.

Ndërkaq, kryetari i Vetëvendosjes është dijetar që çdokund rrezaton urtësi e mirësi. Andaj duhet shpresuar se zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, janë mundësi që VV sërish të vijë në pushtet e ta rivazhdojë procesin për çlirimin e vendit nga zhvatësit e saj dhe të krijojë kushte që gjithë ‘kriminelët’ e paqes, që e plaçkitën shtetin dhe popullin e vet, të dalin përpara drejtësisë. Dhe në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare, populli shqiptar i Kosovës do të ketë mundësi t’i dënojë 'pleqtë' e LDK-së që e rrëzuan ish-qeverinë e VV, duke besuar se populli është një turmë e pa kokë, të cilën nëse arrin ta mashtrosh e ta mbyllësh në oborrin tënd partiak, atëherë me të mund të tallesh si të ta dojë qejfi.

Ndërkohë duhet thënë se me shumëçka, Kosova i ngjan një vendi që ka tre ‘sundues’ e të cilët nuk i ndërlidh asgjë e përbashkët përpos ‘grazhdit’ shtetëror nga ata ushqehen. Pra, Kosova sot është ‘e sunduar’ nga ndërkombëtarët, që nuk i përgjigjen askujt; nga ‘Lista srpska’ që i raporton Beogradit dhe nga qeveritarët shqiptarë që marrin votat e shqiptarëve, por me ardhjen në pushtet, bëjnë çmos që të jenë të pëlqyer nga ndërkombëtarët dhe ‘Lista srpska’; nga ata që ua kanë fatin politik në duar.

Dhe nëse është kështu, atëherë duhet pranuar se në Kosovën e sotme është e vështirë të mbijetojë cilado qeveri si ajo e VV, cilado qeveri që interes parësor ka atë të popullit që përfaqëson e të shtetit që drejton e jo të elitave partiake.

Andaj, për mbarë shqiptarinë e jo vetëm për Kosovën, është e rëndësishme ardhja e VV në pushtet, sepse duke e çliruar shtetin e vet nga qeveritë e varura nga ‘Lista srpska’, shqiptarisë do t’i tregojë se cili është dallimi mes qeveritarëve që i shërbejnë popullit dhe atyre që kujdesen të jenë sa më të pëlqyer nga të huajt.