Testohet ilaçi që të jep menjëherë imunitet ndaj Covid-19

Shkencëtarët në Britaninë e Madhe u kanë dhënë dhjetë personave në këtë vend një ilaç me antitrupa për mbrojtje të menjëhershme ndaj koronavirusit.

Sipas BBC, ky është testimi i parë i këtij lloji.

Ilaçi eksperimental mbron ata persona që kanë qenë në kontakt të ngushtë me persona të konfirmuar si pozitiv me virus gjatë tetë ditëve të fundit.

Nëse provohet efektiv, ilaçi do të mbrojë personat vulnerabël që nuk janë vaksinuar apo që nuk mund të vaksinohen.

BBC raporton se vaksinat kërkojnë javë për të ofruar mbrojtje të plotë, çka do të thotë se do jetë shumë vonë për dikë që e ka virusin në trup.

Por ky trajtim me antitrupa monoklonal, i prodhuar nga kompania AstraZeneca e neutralizon menjëherë virusin.

Për më tepër, mbrojtja ndaj virusit mund të zgjasë deri në një vit.

Ilaçi përbëhet nga dy antitrupa të ndryshëm dhe mund të ndihmojë në kufizimin e shpërthimeve të virusit.