BE fillon shpërndarjen e vaksinave, ndërkohë përhapet varianti i ri i koronavirusit

Bashkimi Evropian filloi një shpërndarje të vaksinave të shtunën, edhe pse vendet në bllok u detyruan t’i kthehen shtetrrethimit nga një lloj i ri i koronavirusit, që besohet të jetë më infektiv dhe që vazhdon të përhapet nga Britania.

Në të gjithë botën, njerëzit po nxiten të respektojnë udhëzimet për distancimin shoqëror, pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë u bëri thirrje njerëzve të mos "shpërdorojnë" "sakrificat e mëdha " që njerëzit kishin bërë për të shpëtuar jetë.

Pandemia e koronavirusit ka marrë më shumë se 1.7 milionë jetë dhe po vazhdon ende e shfrenuar në pjesën më të madhe të botës, por fillimi i fushatave të vaksinimit ka rritur shpresat se 2021 mund të sjellë një pauzë.

Disa orë para se të mbërrinin dozat e para të vaksinës në Francë, Ministria e Shëndetësë në Paris konfirmoi të premten vonë se kishte zbuluar rastin e parë të variantit të ri tek një qytetar i kthyer nga Britania.

Disa vende kanë raportuar raste të llojit të ri, i cili ka sjellë shqetësim tek shërbimet shëndetësore tashmë të stërlodhura.

Varianti i ri

Rasti i parë francez i variantit të ri të koronavirusit u gjet tek një qytetar banues në Britani i cili mbërriti nga Londra në 19 dhjetor, tha Ministria franceze e Shëndetësisë.

Ai është asimptomatik dhe është vetizoluar në shtëpi në Tours në Francën qendrore dhe ka nisur gjurmimi i kontakteve nga profesionistët e shëndetësisë.

Tipi i ri i virusit, për të cilin ekspertët kanë frikë se është më ngjitës, bëri që më shumë se 50 vende të vendosin kufizime të udhëtimit nga Mbretëria e Bashkuar, ku u shfaq për herë të parë.

Por rastet e variantit të ri janë raportuar ende në të gjithë botën: të premten, Japonia konfirmoi pesë infeksione në pasagjerë nga Britania e Madhe, ndërsa raste janë raportuar edhe në Danimarkë, Liban, Gjermani, Australi dhe Hollandë.

Afrika e Jugut ka zbuluar një mutacion të ngjashëm në disa njerëz të infektuar, por të premten mohoi pretendimet britanike se lloji i tij ishte më infektues ose i rrezikshëm se ai me origjinë nga Mbretëria e Bashkuar.

Mbyllja e kufirit Angli - Francë për 48 orë çoi në një bllokim deri të 10,000 kamionëve në Anglinë juglindore, me shoferë të bllokuar për ditë të tëra gjatë periudhës festive.

Por kreu i operatorit të portit Calais i tha AFP se pasi porti u hap gjatë Krishtlindjeve posaçërisht.

Kufizime të reja

Disa shtete që i lehtësuan pak kufizimet për Krishtlindje i kanë rivendosur ato - Austria, për shembull, do të nisë një shtetrrethim nga e shtuna deri më 24 Janar.

Miliona në Mbretërinë e Bashkuar janë prekur nga një shtrëngim i kufizimeve atje - sipas BBC, më shumë se 40% e popullsisë së Anglisë janë prekur tani nga masat më të rrepta - të cilat përfshijnë mbylljen e të gjitha bizneseve jo-thelbësore dhe një kufizim të kontakteve sociale.

Bllokimet e reja filluan gjithashtu në Skoci dhe Irlandën e Veriut të shtunën dhe Uellsi ka rivendosur kufizime gjithashtu pasi i kishte lehtësuar për Krishtlindje.

Më shumë se 25 milionë infeksione janë regjistruar në Evropë, sipas një burimi të AFP të premten.

Shpresa tek vaksina

Vaksinimet në të 27 vendet e Bashkimit Evropian do të fillojnë të dielën, pasi rregullatorët miratuan vaksinën Pfizer-BioNTech në 21 Dhjetor.

Ndërsa përhapja e vaksinave po fillon në të gjithë botën, shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus paralajmëroi të premten:

"Vaksinat po i ofrojnë botës një rrugëdalje nga kjo tragjedi. Por do të duhet kohë që e gjithë bota të vaksinohet."

Mesazhi i Krishtlindjes së Papës gjithashtu i referohej çështjes, me një lutje për "vaksina për të gjithë".

"Unë u bëj thirrje të gjithëve, udhëheqësve të shteteve, bizneseve, organizatave ndërkombëtare, të promovojnë bashkëpunimin dhe jo konkurrencën, për të gjetur një zgjidhje për të gjithë ... veçanërisht për më të prekshmit dhe më në nevojë në të gjitha rajonet e planetit," tha Papa Françesku.