Serbia dërgon vaksina anti-Covid në Mitrovicë, reagon Kosova: Akt i paligjshëm

Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, ka reaguar pasi vaksina kundër COVID-19 janë dërguar në veri të vendit nga Ministria e Shëndetësisë së Serbisë.

Jakupi ka thënë se vaksinat konsiderohen produkte medicinale dhe si të tilla i nënshtrohen autorizimit për marketing – regjisitrimit në AKPPM. Ai ka thënë po ashtu se pas regjistrimit për çdo import duhet të merret leja për import e cila gjithashtu merret nga AKPPM, njofton RTK.

“Sa i përket furnizimit të qyteteve në veri nuk ka ndonjë dallim me qytetet tjera, me gjithë tendencën dhe kërkesat përgjatë viteve, por kjo çështje ligjërisht ka përfunduar në Bruksel në vitin 2014 dhe këto procedura vlejnë për tërë territorin e Republikës së Kosovës dhe për të gjitha produktet medicinale nga cilido prodhues qofshin”.

“Çdo procedurë që përfshin produktet medicinale pa marrë leje nga AKPPM është shkelje e ligjeve të Republikës së Kosovës dhe gjithashtu shkelje e marëveshjes së Brukselit”, theksoi Jakupi.

Ishte Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili deklaroi se në veri të Kosovës ka filluar vaksinimi kundër koronavirusit, me vaksinën e kompanive Pfizer/BioNTech, e cila para disa ditëve ka arritur në Serbi.

“Vaksinimi ka filluar në Leposaviq. Sot do të arrijë edhe në Mitrovicë. Kjo vaksinë është pr personat mbi moshën 75-vjeçare. T'i ruajmë së pari ata, e më pas edhe të tjerët”, ka deklaruar Vuçiq të premten në aeroportin ushtarak në Batajnicë.

Ai i ka bërë këto komente pas pranimit të pajisjeve mjekësore nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Sistemi shëndetësor në komunat me shumicë serbe në Kosovë funksionon brenda sistemit serb.