Mesazhi i Dr. Liri Berisha: Falenderim prindërve dhe terapistëve kurajozë që sfiduan pandeminë duke ndihmuar fëmijët autikë

Bashkëshortja e ish-kryeministrit Berisha, Dr. Liri Berisha u është drejtuar me një mesazh falenderimi të gjithë stafit të terapistëve që në një situatë të vështirë pandemie ku kaloi vendi gjatë këtij, punuan me përkushtim për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve autikë. Dr. Berisha ka falenderuar edhe prindërit si tejet kurajozë dhe vetëmohues që përballuan me kurajo dhe forcë të jashtëzakonshme të gjitha rrethanat negative që kjo pandemi solli duke u bërë edhe terapistë edhe kujdestarë për ta.

Mesazh  nga Dr.Liri Berisha

Të dashur fëmijë e prindër!

Këtë vit, si asnjë vit më parë, u përballëm me vështirësi të shumta. Shëndeti i fëmijëve tanë u vu në sprova të forta për shkak të izolimit nga pandemia. Shumë prej tyre vuajtën mungesën e terapisë për disa javë, disa të tjerë vuajtën largimin nga shkollat në të cilat sapo ishin integruar. Prindër si ju, kurajoz dhe vetmohues, përballuan me kurajo dhe forcë të jashtëzakonshme të gjitha rrethanat negative që kjo pandemi solli duke u bërë edhe terapistë edhe kujdestarë për ta.

Pamvarësisht distancës fizike që kjo pandemi na diktoi të gjithëve, në rrespekim të të gjitha kushteve, ne vijuam programet e zhvillimit për fëmijët tanë. Stafi i terapistëve ka punuar në përputhje të plotë me protokollet e sigurisë duke përshtatuar mjaft edhe nga programet dhe projektet e punës së përdishme, me qëllim zhvillimin e shërbimeve pa mungesa.

Kontakti fizik, takimet, përqafimet me fëmijët dhe ju prindër, na munguan shumë këtë vit dhe mbyllja e tij nuk u kurorëzua siç e kishim bërë traditë, të grumbulluar të gjithë bashkë duke festuar e duke u argëtuar. Këtij fundviti do t’i mungojë fotoja kartolinë e grupit të fëmijëve dhe stafit, por jo kujdesi dhe vëmëndja jonë për festën e tyre.

Falë kontributit dhe dashurisë së treguar nga Firma “Kontakt”, të cilën e falënderoj shumë, sot të gjithë fëmijët e qendrave rajonale për autizmin gëzuan me dhuratat e sjella enkas per ta.

Faleminderit të gjithë stafit të terapistëve dhe stafit mbështetës të qendrës rajonale për autizmin për përkushtimin e investuar gjatë gjithë këtij viti të vështirë.

Uroj që viti që po hyn, të jetë viti i jetës dhe shëndetit për të gjithë ju!

Paçi vetëm Gezime..!

Perqafime

LB