Halili: Me Deden do ecim përpara, duhen vite të thyhen rekordet e Egbosë

Presidenti i Tiranës, Refik Halili, u ndal së fundmi për të analizuar ecurinë e klubit bardheblu në këtë pjesë të parë të sezonit dhe lëvizjet në merkaton e janarit.

Për emisionin “Sport News” të gazetares Enxhi Biba në “News 24”, Halili premtoi se brenda datës 10 janar do të vijnë 3 futbollistë të rinj në radhët e kampionëve të Shqipërisë.

Ai tregoi se kampionët në fuqi të Shqipërisë nuk janë në bisedime me dy lojtarët e Partizanit, Jasir Asanin dhe Uilliam Melon, pasi janë ende nën kontratë me “demat”.

Ecuria e Tiranës – Në fillim të kampionatit, klubi i jonë ka kërkesa të mëdha. Tifozët duan fitore dhe trofe. Rezultatet na kanë detyruar të ndryshojmë stafin. Rekordet e Egbosë do të duhen vite të thyhen. Nuk ka qenë fat, po mirëorganizim, dhe ndihma e Zotit që ia dolëm sezonin e kaluar. Kam besim se Dede dhe skuadra do të ecin përpara, por që ekipi të eci para, duhet dhe ndërhyrje në merkato. Po punojmë, nuk është e lehtë të gjesh lojtarë të konfirmuar në janar për të bërë atë gjë që duhet.

Bojkoti dhe kërkesat për qeverinë – Duhet t’i ndajmë gjërat, është e lodhshme për të gjitha ekipet. Bojkoti ia ka vlejtur, gjërat besoj do ndryshohen mirë dhe për kërkesat e mira. Ne duhet të vazhdojmë ta ngacmojmë këtë gjë për të mirë të sportit, dhe jo të federatës dhe klubit. Kostoja është e rëndë për këdo, kemi patur diçka nga e drejta televizive, por është e paktë. Në janar të fillojmë të bëjmë kërkesa të ketë një numër të kufizuar tifozësh. Të na rikthehen tifozët për të ndihmuar skuadrën dhe të gjallërojmë situatën që po kalojmë.

Merkatoja verore dhe rezultatet – Ka ndodhur që kemi marrë futbollistë dhe nuk kanë rezultuar siç e kemi menduar. Kjo ka ndodhur në klube të mëdha, por jam shumë i kënaqur për gjendjen që kemi, pavarësisht rezultatet nuk janë te pritshmëritë tona. Shpresoj pa bërë shumë zhurmë, duke u konsultuar,  të kemi maksimumi 2-3 futbollistë të rinj. Ne kemi filluar punën dhe do të këmbëngulim për t’i marrë.

Ferhan Hasani – Është e vërtetë që kemi biseduar me menaxherin e tij, është lojtar i lirë. Do ta marrë në konsideratë propozimin tonë. Nëse është e shkruar të vijë te ne, e mirëpresim. Nuk flasim me lojtarë nën kontratë. Shumë shpejt do të vijë dhe një qendërmbrojtës, është lojtar i huaj dhe jemi pranë marrëveshjes.

Melo dhe Asani – Janë nën kontratë. Nëse lojtarët bisedojnë me njëri-tjetrin dhe thonë duan të largohen, kjo ndodh kudo. Ndodh dhe te ne. Nuk ka asnjë lloj bisede apo takimi me futbollistët.

Ofertat për Çelhakën, Muçin dhe Ismajlgecin – Jam i gëzuar. Ka shumë oferta për Muçin, që janë të mira dhe të sakta. Por, do të shohim interesin tonë. Interesi jonë është pika klub-lojtar. Kemi oferta. Nuk do të bëjmë dëmtime për klubin. Është Tirana mbi të gjitha, pastaj vijnë të tjerat.

Nëse Tirana nuk fiton titullin – Është zhgënjim nëse nuk ia dalim, por është shumë shpejt. Në fazën e parë, kemi dështuar sepse s’kemi marrë as 50% të pikëve. Por ka ndikuar zëvendësimi i trajnerit, dy largimet që kanë ndodhur, ngarkesa e lojtarëve. Këto largimet e Ngosë, Kobinës, dhe Dokës na kanë dëmtuar nga ana sportive, por s’i kemi larguar me dhunë. Shpresoj dhe jam optimist që do të punojmë mirë dhe me drejtorin Osmani. Brenda datës 10 janar do të kemi 3 futbollistë. Do të jemi të kujdesshëm të marrim lojtarë që luajnë, të konfirmuar, por dhe me pak kosto të madhe”, përfundoi presidenti i Tiranës, Refik Halili.