Kreu i SPAK: Krimi i organizuar është ndërthurur me administratën

Në një intervistë në emisionin “31 minuta” në RTSH, drejtusi i SPAK trajtoi edhe çështjen e korrupsionit në administratën e lartë shtetërore. Për herë të parë një institucion i hetimit në vendin tonë, pranon atë që raportet e agjencive të huaja të inteligjencës e kanë ngritur si alarm; krimi i organizuar është ndërlidhur tashmë me strukturat e qeverisë! 

“Ajo që kam konstatuar unë në këtë vit është që krimi i organizuar është i ndërthurur shpeshherë edhe me strukturat e administratës shtetërore, të cilat krijojnë suportin dhe mbështesin njëra-tjetrin të dyja palët”, zbuloi Kraja.

Gjithashtu ai nuk mohoi pyetjen retorike, nëse mund të thuhet se administrata shtetërore në njëfarë mënyrë është kthyer në ushtare e krimit të organizuar.

“Varet, në disa raste janë në shërbim të tyre, në disa raste i përdorin për nevoja të tyre. Janë mbi bazën e atyre çfarë ne kemi parë gjatë këtij viti dhe më përpara pak a shumë”, deklaroi kreu i SPAK.

Kraja ka komentua edhe raportet e fundit të ndërkombëtarëve sipas të cilave gjatë 4 viteve të fundit, korrupsioni në Shqipëri është përkeqësuar akoma më tepër dhe ka mbërritur deri në majën e piramidës qeverisëse.

“Pa diskutim, korrupsioni i nivelit të lartë është më i rrezikshëm, është më i rrezikshëm sepse strukturat gjithmonë janë piramidale, kanë një hierarki dhe nëse maja e hierarkisë apo struktura  ekzekutive e administratës shtetërore është e korruptuar, ajo shumëfishohet pastaj në sjelljen e nëpunësve më poshtë, me shkelje të ligjit dhe sjellje korruptive. Ajo shprehja që thuhet  “peshku qelbet nga koka” funksionon edhe në këtë rast. Mendoni vetë, nëse një drejtues i një institucioni shtetëror është i korruptuar kuptohet edhe vartësit e tij sjelljet e tyre do ti kenë shumë më të këqija, më shumë shkelje sesa vet drejtuesi ndonjëherë. Kështu që janë fenomene të gjithë llojit edhe korrupsioni i nivelit të ulët dhe atij të lartë janë më të rrezikshme dhe secili prej tyre krijon problemet e veta”, tha Kraja.