Abuzimi seksual me 10-vjeçaren/ Nëna e dinte, por ka heshtur

Pak ditë më parë opinioni publik u trondit nga një ngjarje e rëndë abuzimi me një të mitur në qytetin e Kuçovës.

Një vajzë 10-vjeçare nga lagjja ‘1 Maji’ në qytetin e Kuçovës denoncoi 57-vjeçarin, Ajet Dume se kishte abuzuar seksualisht me të për 2 vite me radhë.

Ngjarja kishte ndodhur në banesën e 57-vjeçarit, ku jetonte edhe familja e vajzës prej 11 vitesh. Pas denoncimit të bërë, minorenia 10-vjeçare u dërgua për një vizitë mjeko-ligjore, nga e cila rezultoi se mbi të ishte abuzuar në mënyrë sistematike.

Policia e Beratit arrestoi 57-vjeçarin Ajet Dume, nën akuzën e ‘marrëdhënieve seksuale me të mitura’. Gjatë denoncimit të bërë nëna e vajzës ka deklaruar se nuk ishte në dijeni për veprimet që kryente Ajeti me vajzën dhe se vajza nuk i kishte treguar asgjë. Por nuk ka rezultuar kështu.

Punonjësja e Mbrojtjes së Fëmijëve dhe disa specialistë të Drejtorisë së Shërbimit Social në bashkinë Kuçovë, kanë konstatuar se, nëna ka qenë në dijeni të plotë të ngjarjes, pavarësisht se është shprehur se kushtet ekonomike dhe kërcënimet e marra nga zotëria e kanë detyruar të heshte, por kjo nuk e justifikon heshtjen e nënën për 2 vjet dhe moskallzimin e krimit.

Po sipas specialistëve të DSHS Kuçovë, është konstatuar gjendja e rënduar psikologjike e vajzave, për të cilat janë marrë të gjitha masat, konform ligjit dhe protokollit.

Vajzat janë larguar nga banesa dhe janë në mbrojtje të lartë sigurie, në mbikëqyrjen e profesionistëve, në një qendër të specializuar.

Pas konstatimeve të arritura nga grupi i punës është kërkuar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat masa e mbrojtjes për vajzat.