Kosovë, hidhet kripë në rrugë, Ministria: Të gjitha janë të qarkullueshme

Prishtinë - Ministria e Infrastrukturës e Kosovës njoftoi qytetarët të hënën se në mbarë vendin, kompanitë e kontraktuara po kujdesen që rrugët të jenë lehtësisht të kalueshme për automjetet. Me qëllim të sigurisë në komunikacion, në disa zona, sidomos ato malore, është nderhyrë me hedhje kripe, për të evituar krijimin e shtresave të akullta nga rënia e temperaturave dhe mjegulla.

Sipas raporteve nga menaxherët mbikëqyrës të ministrisë, nga kompanitë, në mëngjes dhe mbrëmje, është punuar në në rrugët rajonale Mitrovicë – Bajgore (R129), Deçan – Koznjer (R108), atë nacionale N9 në zonën e Dollcit, dhe akset rrugore Pejë – Kullë e Doganaj - Glloboqicë.

Kripë është hedhur edhe në zonat turistike malore si Bogë e Prevallë.

Kompanitë e kontraktuara, me tërë makinerinë, bashkë me inxhinierët e ministrisë janë në mbikëqyrje të vazhdueshme të të gjitha rrugëve nacionale, rajonale, magjistrale dhe autostradave, gjatë 24 orëve.

Ministria e Infrastruktures se Kosoves  bën thirrje për kujdes të shtuar në drejtim me qëllim evitimin e rreziqeve në komunikacion.