Çifti shqiptar i masakruar/ Policia italiane në kërkim të...

Katër mure të heshtura janë dëshmitarë për masakrën ndaj çiftit shqiptar, Shpëtim dhe Teuta Pasho. Por 'dëshmitar' mund të jetë edhe një furgon. Kështu shkruan gazeta italiane, La Nazione.

Sipas saj, policia e vendit fqinj po kërkon për një furgon, me të cilin janë transportuar viktimat nga vendi i krimit deri te vendi ku u gjetën të shpërndarë në copa në katër valixhe.

Gazeta shkruan se ka nisur kontrolli për të parë se cilat kanë qenë makinat në pronësi të familjes dhe njerëzve pranë saj gjatë këtyre viteve.

Makina ka ecur me shpejtësi të ulët buzë rrugës dhe një person i dytë ka hedhur valixhet me trupa në shkurre.

Vrasja e çiftit mbetet akoma një mister. Por duket se vëmendja e policisë është përqendruar në mjedisin familjar të çiftit. Ata u zhdukën në ditën kur duhej të prisnin djalin, Taulantin të dilte nga burgu.

Gazeta shkruan se familjarët kanë dhënë dëshmi kontradiktore, kurse Taulanti është në një burg në Zvicër.

Një gjë është e sigurt: krimi ka ndodhur në një shtëpi, pasi çifti Pasho ishin akoma me pizhame.

Personi që mund të zbardhë më shumë nga kjo histori mbetet Taulanti, pronari i një shume të madhe parash, të cilën prindërit e ruanin si sytë e ballit.