‘Shqiponja’ qëlloi me armë ndaj makinës te ‘Zogu i Zi’/ Ja çfarë thotë Policia e Shtetit

Një tjetër ngjarje që meriton zbardhje të plotë ku është implikuar Policia e Shtetit dhe më konkretisht patrulla ‘Shqiponja’, është shënuar këtë ditë, pas vrasjes së Klodian Rashës mëngjesin e 8 dhjetorit në Tiranë nga Nevaldo Hajdaraj, efektiv I forcave ‘Shqiponja’

Ngjarja është raportuar nga ‘Shoqata e Punonjësve në Lirim-2013’ të cilët bëjnë me dije se patrulla e Shqiponjave në Fier, ka qëlluar ndaj një makine ‘Benz’

Lidhur mbi këtë ngjarje ka reaguar vetë Policia e Shtetit që mohojnë të jetë qëlluar me armë zjarri ndaj makinës ku udhëtonin dy të rinj.

Policia e Fierit sqaron se “në asnjë moment, nga punonjësit e Policisë nuk është përdoruar arma e zjarrit as në ajër dhe as në drejtim të automjetit”.

Sipas policisë, “dy të rinj, duke lëvizur me automjetin tip “Benz”, në vendin e quajtur “Zogu i Zi”, nuk i janë bindur urdhërit të Punonjësit të Policisë së Rendit për të ndaluar, por janë ndalur gjatë ndjekjes dhe janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Fier”.

Sqarim i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier

Në lidhje me një lajm të publikuar në rrjetet sociale dhe në media, ku pretendohet se punonjësit e Policisë së Fierit kanë qëlluar me armë në drejtim të një automjeti dhe ngjarja është fshehur apo nuk janë referuar materialet në Prokurori, bëjmë me dije opinionin publik se:

Në datë 15.12.2020 ka filluar procedimi penal për shtetasit I. Gj., 19 vjeç dhe K. B., 22 vjeç, banues në Fier, pasi në datën 15.12.2020, rreth orës 00:30, duke lëvizur me automjetin tip “Benz”, në vendin e quajtur “Zogu i Zi”, nuk i janë bindur urdhërit të Punonjësit të Policisë së Rendit për të ndaluar, por janë ndalur gjatë ndjekjes dhe janë shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Fier.

Në lidhje me ngjarjen menjëherë është njoftuar oficeri i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë Fier, i cili kreu veprimet përkatëse dhe referoi në Prokurori materialet për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik”, e kryer në bashkëpunim.

Pavarësisht se veprimet janë kryer nga oficeri i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë Fier, ngjarja është pasqyruar në ëeb-in e Policisë së Shtetit.

Sqarojmë se në asnjë moment, nga punonjësit e Policisë nuk është përdoruar arma e zjarrit as në ajër dhe as në drejtim të automjetit.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve nga ana e Policisë Rrugore të DVP Fier, për drejtuesin e mjetit, shtetasin I. Gj., është marë masë administrative pezullimi i lejes së drejtimit dhe lejes së qarkullimit për shkelje të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.

Policia e Fierit shpreh keqardhjen për publikime të lajmeve të pavërteta që synojnë të zbehin punën e Policisë dhe mbi të gjitha marrëdhënien e Policisë me qytetarët. Policia është tërësisht e gatshme dhe transparente për t’i vënë në dispozicion çdo informacion që lejon ligji kujtdo që shpreh interes për të informuar publikun.