VIDEO/ Berisha: Mohimi nga Zografi bis i genocit serb, akt flagrant armiqësor ndaj kombit

Ish-Kryeministri Sali Berisha pas takimit që ka pasur sot me Presidenten në detyrë të Kosovës ka bërë të ditur për mediat temat e rëndësishme që ka diskutuar me znj. Vjosa Osmani. Berisha në veçanti ka denoncuar qëndrimin që ka mbajtur kreu i Qeverisë Edi Rama ndaj Kosovës dhe së fundmi, edhe ndaj znj. Osmani në veçanti.

“Në një drekë me ushtruesen e Presidencës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, shfrytëzova rastin të diskutojmë gjerësisht mbi problemet me të cilat përballen dy vendet sot, - tha Berisha.

“E falënderova zonjën Presidente për çështjet e mëdha që ngriti në fjalën e saj në parlamentin shqiptar.

Mohimi  nga ana e Zografi bis të genocit serb, përbën një akt flagrant armiqësor ndaj kombit shqiptar.

Në këtë kontekst dua t’ju them se zonja Presidente foli në parlament jo vetëm në emër të qytetarëve të Kosovës, por të mbarë shqiptarëve; foli jo vetëm të shqiptarëve që sot janë gjallë, por të gjeneratave të tëra që janë shuar; në emër të qindra e mijëra shqiptarëve të cilët u masakruan barbarisht nga racistët serbë nga 860-a deri në vitin 1999.

Akti i mohimit me urdhër të Edi Ramës në dokumentin e parlamentit shqiptar të genocidit serb është akt armiqësor ndaj çdo shqiptari, por është një akt armiqësor ndaj njerëzimit, i cili nuk njeh falje në dënimin e krimeve kundër tij dhe genocidit ndaj një kombi mbi baza raciste.

Genocidi ndaj shqiptarëve nga barbarët serbë, nga 860-a deri në 1999-ën pas Holokaustit ndaj hebrenjve, është forma më e egër e genicidit që Europa ka njohur dhe cilido që nuk e njeh këtë problem, le t’iu referohet librave, historive kushtuar gjenocideve dhe krimeve kundër njerëzimit se ku renditet genocidi serb ndaj shqiptarëve, përveçse për antishqiptarin e tërbuar Edvin Kristaq Zografi.

Mendoj se përpjekja e tmerrshme që u bë për shpërbërjen e Kosovës, për copëtimin e saj, midis Vuçiçit,këtij serbomadhi që është absolutisht një replike e Millosheviçit, por jo me ideologji komuniste, po me ultranacionalizmin e Gjorgjeviçit  dhe Edi Ramës, këtij Zografi që nuk ka interesa shqiptare - denoncimi i këtij akti, është i një rëndësie historike, që të mos mund të përsëritet më.

Vetëkuptohet, që trau në Rrugën e Kombit është edhe ai një akt armiqësor i tij ndaj veriut dhe Kosovës.

Shqiptarët duhet ta dinë se jo tani, por që në vitin 2013, falë asaj rruge, falë asaj rruge, falë asaj rruge, qytetarët e Kosovës kontribuonin me 320 milionë euro në PBB të Shqipërinë dhe që sot është më i madh dhe ky njeri,  që nuk ka investuar një qindarkë të vetme për marrëdhëniet Shqipëri – Kosovë, ky njeri vuri traun, vuri taksë për qytetarët e Kosovës për të ardhur në Shqipëri, në një akt prej faqeziu të vërtetë.

Mendoj se vizita ishte rëndësishme sepse në qoftë se nëse vendosim të flemë mbi vorre, paqë nuk mund të ketë kurrë.

Në qoftë se mohojmë genocidet ciklike serbe ndaj shqiptarëve, ne nuk meritojmë të ardhme. Ne meritojmë të zhdukemi në këtë mënyrë. Por ne nuk zhdukemi. Jemi një komb që e kemi faktuar këtë.

Ndaj, për të gjitha këto, ishte një bisedë, unë vlerësoj një bisedë shumë pozitive, shumë të rëndësishme dhe i uroj suksese në detyrën e saj, ushtrueses së detyrës, zonjës Vjosa Osmani.

Pyetje: Z. Berisha! Kryetari i PD sot tha që do ta votojnë Rezolutën në Kuvendin e ri, pas zgjedhjeve të reja, ndërkohë që ju thatë se Edi Rama e refuzoi votimin e kësaj Rezolute...

Berisha: E refuzoi ai! Sepse ishte fjala “rezolutë” dhe fjala u hoq! Unë nuk e kursej Taulant Ballën, të jeni të sigurt ju, s’e kursej fare, por që ta fajësoj atë për atë që s’e ka, këtë s’mund ta bëj sepse fjala u hoq para votimit. Dhe ajo fjalë nuk mund të hiqej kurrë, nuk mund të hiqej kurrë pa urdhrin e Edi Ramës! Se ata që e miratuan, pavarësisht se ç’konsideratë kam unë për ata, e vunë  fjalën “genocid” dhe ata e hoqën në momentin e fundit se e urdhëroi Vuçiçi, Edi Ramën.

Pyetje: Si e gjykoni mungesën e Kryeministrit, dje në Kuvend, zoti Berisha?

Berisha: E  nderoi me mungesën e tij! Ai nxinte. E nderoi me mungesën e tij, ai tregoi se çfarë është.

Pyetje: A shprehu shqetësim tej zonja Osmani  tek ju për mospërkrahjen që ka nga Edi Rama apo jo?

Berisha: Edi Rama nuk ishte objekt bisedimesh midis meje dhe zonjës Osmani. Problemet që diskutuam bashkë ishin përpjekjet tona të përbashkëta për një të ardhme dinjitoze, përpjekjet tona të përbashkëta kundër çdo projekti që cenon dhe dhunon integritetin e vendeve tona dhe rrugën evropiane të tyre.