Balliu: Raporti i Transparency International, tregoi më së miri pse të rinjtë protestuan

I ftuar në emisionin e mëngjesit ‘Kafe Shqeto’ në SyrinTv ishte ish deputeti i Partisë Demokratike Klavis Balliu.

Balliu ishte ftuar për të folur për protestat e fundit nga të rinjtë, pas vrasjes së Klodian Rashës dhe për faktin se këta protestues janë quajtur  me pa të drejtë halabak.

Ish-deputeti u shpreh i irrituar se në Shqipëri nuk ka asnjë arsye për të mos protestuar dhe këtë më së miri e tregoi raporti i Transparency International, i cili flet për lidhjen e qeverisë me krimin e organizuar, për vjedhjen e votës, çështje që kanë shtatë vite që ngrihen nga Partia Demokratike. 

'Këta që protestuan jo vetëm që nuk janë halabak, por është një turp i madh që dalin pafundësisht në emisione për të thënë se paska patur vandalizëm, se qenka thyer një xham ndërkohë që atyre ju thyen brinjët' shprehet ndër të tjera Balliu. 

Pjesë nga biseda:

Këta që protestuan jo vetëm që nuk janë halabak, por është një turp i madh që dalin pafundësisht në emisione për të thënë se paska patur vandalizëm, se qenka thyer një xham, ndërkohë që atyre ju janë thyer brinjët. Kemi patur qytetar që kanë dalë me barrelë nga rajonet e policisë, gazetarë që janë dhunuar brenda rajonit të policisë dhe t’i quajmë këta halabak se paskan thyer një xham? Se paskan hequr një pemë? Kujt i intereson? Këtu ka një tragjedi dhe përsa i përket arsyes se pse këta qytetarë protestojnë. Nuk ka arsye me të mëdha se ato që nxorri raporti i Transparency International.  I cili flet për kapjen e shtetit, flet për vjedhje të votës, flet për lidhjen e qeverisë me krimin e organizuar , çështe që janë  ngritur përplotë shtatë vite nga Partia Demokratike dhe Transfersi International i ka faktuar. Arsyet pse këta banorë , qytetar, të rinj dhe të reja ishin në protestë, janë të shkruara e zeza mbi të bardhë nga ky raport.  Nuk është çeshtja të gjejmë arsye për të protestuar, duhet të gjendet një arsye e vetme për të mos protestuar. A ka ndonjë arsye për të mos protestuar në Shqipëri?S’ka asnjë.