Vaksina e dytë për Covid, fare pranë aprovimit në SHBA

Një vaksinë e dytë e koronavirusit është pranë miratimit emergjent në SHBA pasi u firmos nga një panel ekspertësh.

Kreu i Administratës së Ushqimit dhe Barnave (FDA) tha se agjencia e tij do të vepronte me shpejtësi për të autorizuar edhe vaksinën e Moderna, duke lejuar kompaninë të fillojë të dërgojë miliona doza.

Kjo vjen disa ditë pasi SHBA filloi fushatën e vet më të madhe të imunizimit që ka bërë ndonjëherë me përhapjen e vaksinës së Pfizer / BioNTech.

SHBA ka regjistruar më shumë raste dhe vdekje me Covid-19 se çdo vend tjetër. Në fillim të kësaj jave, numri i të vdekurve kaloi 300,000.

Paneli këshillimor të enjten votoi 20-0 me një abstenim duke treguar se përfitimet e vaksinës Moderna i tejkalojnë rreziqet për ata të moshës 18 vjeç e sipër.

I njëjti komitet javën e kaluar mbështeti vaksinën Pfizer / BioNTech, duke dhënë autorizimin për përdorim emergjent të nesërmen.