U dënua për trafik droge/ Habilaj premtoi informacione për Tahirin

Gjyqtarët e Gjykatës së Apelit të Katanias kanë vendosur të mos e ndryshojnë vendimin e shkallës së parë dhe të mos bëjnë asnjë zbritje në dënim ,për trafikantin shqiptar të drogës, Moisi Habilajn.

Me vendimin e sotëm për Moisi Habiljan, ai do të vuajë 15 vjet e 5 muaj dhe 10 ditë burg, ashtu sikurse është urdhëruar më 19 qershor 2019.

Në gjykimin e shkallës së parë, Moisi Habilaj kishte vendosur të fliste me magjistratët për të pranuar disa akuza dhe për t’i dhënë atyre informacione për çdo përfshirje të mundshme të kushëririt të tij në trafikun e drogës, pra ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri, raportojnë mediat italiane.

Tahiri  u hetua gjithashtu nga zyra e prokurorit të Katanias, por dosja u mbyll me një kërkesë për shkarkim, e cila u pranua më pas nga gjyqtarja Loredana Pezzino.

Banda e trafikantëve, e cila kishte në krye Moisi Habilajn vepronte midis Shqipërisë dhe Sicilisë për të importuar sasi të mëdha marijuane, por edhe armë lufte në ishull. Të gjitha do të kishin qenë të mundura falë një rrjeti tregtarësh me shumicë në zonë me marrëdhënie të drejtpërdrejta me klanet kryesore mafioze lokale.

“Meridionews” ka zbardhur edhe një fragment nga deklarata e Habilajt, i cili shprehej se: “Nëse vini në Shqipëri e kuptoni që policia është e korruptuar . Ndonjëherë është vetë shefi që na ndihmon të ngarkojmë thasët”.

Moisi Habilaj është larguar nga burgu që nga fundi i muajit maj, pasi kaloi 954 ditë pas hekurave. Për disa muaj, trafikanti i drogës ka qenë në shtëpinë e një kushëriri në territorin e San Michele di Ganzaria, në krahinën e Katanias.