Lirohen 18 peshkatarët italianë të kapur rob në Libi, gjenerali libian kërkoi shkëmbim me futbollistët

Tetëmbëdhjetë peshkatarë italianë, të mbajtur në robëri në Libi për më shumë se 100 ditë, janë liruar, duke i dhënë fund një mosmarrëveshje politike midis dy shteteve për fatin e këtyre njerëzve.

Burgosja e zgjatur e grupit ishte bërë një siklet për qeverinë e Italisë, me kritikët që akuzonin ministrat se dështuan të përballeshin me Khalifa Haftar, komandantin ushtarak me ndikim në lindjen e Libisë.

Kryeministri italian, Giuseppe Conte dhe ministri i jashtëm, Luigi Di Maio, janë në rrugë për në Bengazi për lirimin e peshkatarëve, të cilët ishin në bordin e dy anijeve siciliane që u kapën nga forcat e Haftar më 1 shtator.

"Ne morëm thirrje telefonike që konfirmonin lirimin e tyre të sigurtë”, tha Salvatore Quinci, kryetari i bashkisë së qytetit port Mazilian del Vallo, nga janë edhe  burrat. "Jemi vërtet të lumtur".

Kurse Di Maio shkroi në Facebook: “Peshkatarët tanë janë të lirë. Pas disa orësh ata do të jenë në gjendje të përqafojnë përsëri familjet dhe të dashurit e tyre. Falë AISE [Agjencisë së jashtme të inteligjencës dhe sigurisë së Italisë] dhe të gjithë trupave diplomatikë që punuan për t'i kthyer në shtëpi".

Familjet e peshkatarëve, të cilët kanë mbajtur disa protesta duke kërkuar lirimin e tyre, u mblodhën jashtë bashkisë së qytetit të Mazara del Vallo pasi dëgjuan lajmet.

Ekuipazhi i peshkimit ishte në bordin e dy anijeve, Antartide dhe Medinea, rreth 80 milje larg Bengazit, kur atyre iu afrua milicia që i përkiste Ushtrisë Kombëtare Libiane të Haftar, forcës kryesore ushtarake në lindje të vendit.

Milicia i akuzoi ata për peshkim në ujërat territorial libiane dhe prej andej i çuan në një burg afër Benghazi.

Burrat u akuzuan se po peshkonin karkalecat e kuq të çmuar, të cilat mund të kapin vlerën nga 50 deri në 70 euro një kilogram, në një mosmarrëveshje që është zvarritur midis Siçilisë dhe Libisë që nga mesi i viteve 1990.

Senatorët nga partia demokratike, e cila qeveris kombëtarisht në koalicion me Lëvizjen Pesë Yje, paraqitën një mocion këtë javë duke kërkuar që qeveria të veprojë shpejt për të siguruar lirimin e tyre.

"Pas më shumë se 100 ditësh robëri, 18 peshkatarët po vijnë në shtëpi," thanë senatorët, të udhëhequr nga Andrea Marcucci.

Javë pas kapjes së tyre, Haftar thuhet se u ofrua të çlirojë këta burra me kushtin që Italia të lironte katër futbollistët libianë të dënuar për trafik njerëzor.

Kapjet e anijeve italiane të peshkimit u bënë më të shpeshta në 2005, kur Muammar Gaddafi vendosi në mënyrë të njëanshme të zgjeronte ujërat territoriale të Libisë nga 12 në 74 milje në det të hapur.

Sipas të dhënave nga Distretto della Pesca e Siçilisë, një kooperativë që bashkon palët e interesuara në industrinë e peshkimit, në 25 vitet e fundit janë kapur më shumë se 50 anije dhe dy janë konfiskuar, ndërsa rreth 30 peshkatarë janë arrestuar dhe dhjetëra janë plagosur.