‘Shqipërinë e bëmë, tani duhet të bëjmë shqiptarët’

Një shtëpi ka shumë nevoja, ashtu dhe një shtet, ose edhe një komb si ne, i shtrirë në disa shtete. Nuk është e saktë të thuash e të mendosh se duke u përqendruar vetëm tek plotësimi i njërës prej tyre mund të prodhosh zhvillim e prosperitet të qëndrueshëm. Sidoqoftë nga diku duhet filluar, plotësimi i njërës prej nevojave medoemos duhet të jetë parësor kundrejt të tjerave. Vetëm kështu mund të lëvizet nga vendi, njësoj siç ecën një njeri, hap pas hapi. Duke tentuar të plotësosh të gjitha nevojat njëherësh, prodhon veç stanjacion, çoroditje, siç edhe po e provojmë në kurriz.

Mendoj me këmbëngulje se doktrina parësore e zhvillimit për ne është investimi në arsim. Duke filluar në familje dhe parashkollor. Investimi në universitet duhet të jetë i fundit.

Shkolla në përgjithësi dhe universiteti më shumë se çdo shkollë tjetër, është si furra. Po fute aty brumë me miell misri nuk nxjerr dot bukë gruri. Ky investim duhet të jetë dukshëm, me distancë në sasi e cilësi me të gjitha investimet e tjera publike. Nuk pëlqehet nga politikanët zulmëmëdhenj sepse nuk i prodhon rezultatet brenda 1 apo 2 mandateve.

Shqipëria ka shumë burime natyrore. Atëherë, pse nuk është e zhvilluar? Sepse, burimi natyror më i rëndësishëm nuk ushqehet, nuk mbështetet, nuk kujdeset kush për të deri sa është tepër vonë. Burimi natyror më i rëndësishëm për të gjitha kombet mbi dhe, është dhe mbetet mendja e fëmijëve! (Këtu më kujtohet: çfarë bëri Turi?)

Investimi dhe kujdesi tek mendja e fëmijëve do të mund të sillte edhe shfrytëzimin efiçent të burimeve të tjera natyrore, me të cilat Zoti e ka bekuar Shqipërinë, por edhe rrethanave të favorshme historike të cilat i kemi shpërdoruar në dekadat e fundit. Përndryshe, e dimë vetë ne: "anës detit të palarë, anës dritës të paparë".

Investimi ynë në arsim në këto 30 vjet ka qenë sa për të larë gojën, 2% e GDP.

Buxheti i 2021 është në të njëjtat nivele, ndërsa jargavitet i tëri në projekte si tuneli i Llogarasë. Sa i përket vitit 2020, viti që Qeveria ia vodhi njerëzve, masat e ndërmarra prej saj në luftën heroike kundër Covid-19,si izolimi, mbyllja e shkollave e të tjera si këto, më shumë se kanë mbrojtur ndonjë jetë njeriu, kanë bërë dy dëme të mëdha: kanë shkatërruar ekonominë e shqiptarëve, dhe mbi të gjitha kanë cenuar dhe shkaktuar dëme të pallogaritshme, afatgjata pikërisht tek burimi natyror më i rëndësishëm që kemi - mendja e fëmijëve.