Transparency International tregon se halabakët janë në qeveri

Halabak nuk është një fjalë e bukur, sidomos kur përdoret ndaj të rinjve. Të rinjtë e revoltuar mund të jenë shumë gjëra, por jo halabakë. Për më tepër të rinjtë që protestojnë në një vend ku protesta është zakonisht një tabu, nuk mund të jenë halabakë.

T’i akuzosh me sinonimin e rrugaçërisë, kur iu ke mbyllur të gjitha hapësirat në të cilat të shfaqin liritë dhe potencialin e tyre, ndërsa oferta e vetme që ke për ta është gishti i drejtuar ndaj derës, është një poshtërsi e pashoq. Për më tepër kur ky epitet del nga goja e të parit të qeverisë dhe përsëritet në kor nga fatosat e tij mediatik. Akoma më e rëndë është të shohësh lëmishten te syri i tjetrit, por të mos shohësh traun tek i yti.

Sepse të përdorësh termin halabak për shkak të xanxës që të rinjtë krijuan për pak ditë në kryeqytet, por të mos shohësh zezonën që ke sjellë në këtë vend, është minimalisht hipokrizi. E nëse termin halabak do ta përdornim në raport me dëmet e shkaktuara ndaj publikes dhe interesit të përgjithshëm, në podium do të ngjiteshin padyshim pushtetarët dhe jo qytetarët e revoltuar.

Për t’ia veshur këtë term pushtetarëve, pra qeverisë aktuale, na vjen në ndihmë raporti më i fundit i Transparency International. Nuk është i pari dhe i vetmi raport ndërkombëtar që tregon kalbësinë e qeverisjes, megjithatë vjen në kohën e duhur. Kur shkatërruesit e shtetit ligjor i japin të drejtën vetes të kthehn në akuzues të qytetarëve. Në raport flitet për kapje të shteti dhe pasurim të politikanëve. Flitet për klientët e qeverisë, për të cilët bëhen ligje apostafat, dhe rrugët e florinjta që kutërbojnë korrupsion. Përmenden me emra ‘delfinët’ e kryeministrit, Dako dhe Tahiri, bashkë me ortakët e tyre të botës së krimit. Një korrupsion që mundëson kapjen e shtetit, për ta vendosur ekonominë e një kombi në duart e pak privatëve.

Dhe e gjithë kjo ndodh në një moment mjaft të vecantë të historisë së pluralizimit. Kur i gjithë pushteti është në dorën e një individi, i cili në zgjedhjet e mëparshme kishte kërkuar një mandat i vetëm në drejtimin e vendit, për të mpakur mundësinë e korrupsionit duke i dhënë monopolin e asaj që është gjëja publike, por që në mënyrë profetike u qujat tepsi. Ashtu përfundoi. Klimaksin e korrupsionit Shqipëria po e kap nën hegjemoninë e Edi Ramës. Ai nuk e ka zakon pranimin e gabimeve apo mëkateve, megjithatë makutëria për pushtet dhe akumulimi i gjithçkaje në duart e tij, e ka lënë në pamundësi për t’u fshehur pas të tjerëve. Për ta thënë në mënyrë më popullore, i ka mbetur derri mac në dorë.

Nuk ka asnjë pengesë për të luftuar korrupsionin, prej vitesh ka edhe gurin edhe arrën. Nuk ka as kë të fajësoj, pasi qeveris krejt i vetëm dhe mund të bënte zap këdo që dëmtonte interesin publik. Nuk e bëri. Përkundrazi, u zhyt, bashkë me ortakët e tij, në thellësinë e pisët të shpërdorimit të pushtetit. Prandaj, raportet ndërkombëtare, që marrin trajtat e pretencave, e gjejnë Edi Ramën fajtor të vetëm për rrokopujnë e shteti ligjor si dhe rritjen marramendëse të korrupsionit.

Kështu që, një shoqëri normale, përpara se të shqetësohet për një pemë plastike, duhet të mos toleroj që një kryeministër në këto pozita, të cilësoj të rinjt si halabakë. Jo vetmë për modelin që ka frymëzuar me prurjet e tij në politikë, por edhe për dorën e rëndë me të cilën po bën shkrumb e hi të përbashkëtën, për ta ndarë me kacakët e publikes.  Sepse ndryshe nga protestat, korrupsioni, nuk djeg një pemë apo një semafor, por demokracinë. Dhe gjithçka të mirë ajo sjell.