Skandali/ Erion Dasho: Në tetor-nëntor, MSH ka shpërndarë 1 maskë në muaj për mjekët e qendrave shëndetësore

Mjeku Erion Dasho ka zbuluar një tjetër skandal që lidhet me mbrojtjen e mjekëve nga Covidi në vendin tonë duke thënë se Ministria e Shëndetësisë ka shpërndarë vetëm një maskë në muaj për mjekët në qendrat shëndetësore.

Në një intervistë për emisionin “Me Xhaxhiun” në Fax News, Dasho u shpreh se situata në vendin tonë është më e rëndë se në Afrikë pasi mjekët lihen të ekspozuar ndaj infeksionit.

“Deri në Tetor dhe Nëntor, kam informacione të sakta mbi numrin e maskave që i jep Ministria e Shëndetësisë mjekëve të një qendre shëndetësore. Është një maskë në muaj. Ndërkohë që duhet të ishin 2 maska në ditë. Kjo e bën më të rëndë se Afrika situata në Shqipëri.

Nëse në situatën kur Covidi ka filluar të marrë rritjen në Tetor-Nëntor, mjekun e qendrës shëndetësore e lë me një maskë në muaj, mjeku ka 2 zgjidhje, ose do ta blejë vetë në farmaci dhe të gjithë kolegët këtë kanë bërë, ose do ta ekspozosh mjekun ndaj infeksionit.

Në muajin Maj kam bërë debatin publik me një anëtar të Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe i thashë kujdes QSUT sepse patëm shpërthimin e parë. Menjëherë pas atij shpërthimi, humbëm mjekun e njohur Arjan Pushin. Ka dështuar mbrojtja e mjekëve në spitale dhe nëse shpërthen në QSUT epidemia, tregon që sistemi është i shkrehur.

Kemi mjekë të infektuar dhe 28 mjekë të vdekur. Jemi vend europian dhe kemi sistem shëndetësor të shkatërruar, por një sistem e kemi dhe duhet ta vinim në funksionim”, tha Dasho.