QSUT dhe Sanatoriumi, tendera 1.3 mln euro, dy kompanitë të lidhura me qeverinë

Qendra Spitalore Nënë Tereza dhe spitali Shefqet Ndroqi kanë dhënë dy tendera me vlerë totale 1.3 milionë euro në datën 10 dhjetor, për blerjen e maskave mbrojtëse për stafin e tyre.

Tenderat janë fituar përkatësisht nga kompania FEdos Shpk dhe Gen alba Farma Shpk. Sipas portalit Open Procurement Albania, tenderat janë dhënë pa garë dhe konkurrencë, duke krijuar dyshime të forta për shkelje të praktikave antikorrupsion.

Burime të SYRI TV thanë se kompanitë fituese të këtyre tenderave janë të lidhur me njerëz të afërt të qeverisë.

Dy spitalet kryesore ku trajtohen pacientët me Covid-19, QSUT dhe Shefqet Ndroqi, në datën 10 dhjetor kanë dhënë dy tendera me vlerë rreth 1.3 milionë euro për blerjen e maskave dhe pajisjeve mbrojtëse për stafet mjekësore.

Deri këtu duket diçka normale, duke pasur parasysh faktin se mjekët janë ata që po përballen në vijën e parë me pacientët me Covid. Mirëpo, tenderat janë zhvilluar të dyja në të njëjtën ditë. Konkretisht, Qendra Spitalore Nënë Tereza ka zhvilluar tenderin në datën 9 dhjetor me vlerë rreth 53 milionë lekë, ose 500 mijë euro.

Tenderi është fituar nga kompania “Fedos.Shpk”, dhe kontrata është lidhur vetëm një ditë më pas, në datën 10 dhjetor. Ky tender është raportuar me flamur të kuq nga portali Operprocurement Albania, i specializuar për monitorimin e tenderave publik në vendin tonë.

Thënë ndryshe, flamuri i kuq tregon se tenderi është dhënë pa garë, në mungesë konkurrence dhe negocimi i drejtpërdrejtë i vlerës mbi 5 milionë lekë.  Gjithashtu sipas flamurit të kuq shënuar për këtë tender, ekziston rreziku potencial për sjelle të paligjshme dhe praktika korruptive, duke mos respektuar ligjet anti-korrupsion.

Të njëjtën gjë ka bërë dhe Spitali Shefqet Ndroqi, po në të njëjtën ditë si QSUT, ka hapur tender me vlerë rreth 85 milionë lekë, ose 800 mijë euro. Tenderi është hapur në datën 9 dhjetor dhe po në këtë datë janë dorëzuar dokumentet. Kompania e vetme në garë dhe që ka fituar tenderin me pothuajse në të njëjtën vlerë sa fondi limit, është kompania Gen alba Farma Shpk.

Kjo kompani është shpallur fituese një ditë më pas, si në rastin e kompanisë që fitoi tenderin në QSUT. Edhe në këtë rast tenderi është vlerësuar me flamur të kuq për mungeë konkurrence, gare dhe negocim i drejtpërdrejtë i shumës mbi 5 milionë lekë.

Ndërkohë burime për Syri Televizion kanë konfirmuar se dy kompanitë fituese të shpallura brenda ditës në dy tendera me vlerë totale rreth 1.3 milionë euro, janë të lidhura me njerëz të afërt të qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

SYRI TV