Nishani: Pse gënjen Top Fake News?! Kurrë nuk kam organizuar tender uniformash!

Ish-Presidenti Bujar Nishani deklaroi sot se përsa kohë shërbeu si Ministër i Brendshëm i vendit nuk ka organizuar apo nënshkruar kurrë ndonjë tender uniformash policie, por theksoi se çështja është se kemi të bëjmë me “një mjerim dhe degradim moral të një televizioni" që ai e emërtoi si Top Fake News, që i shërben Kryeministrit Rama.

Reagimi i shpejtë i Nishanit ka ardhur pas një të ashtuquajturi “investigim” të Top Channel mbi Ministrat e Brendshëm të vendit, titulluar “Nga Ruçi tek Lleshaj, kush prej tyre iku me skandale të mëdha” e ku ndër të flitet edhe për Bujar Nishanin, që sipas TCH kishte kryer shkelje të shumta në një tender uniformash për efektivët.

Por, ish-Ministri i Brendshëm i PD,  që u bë President i vendit, zbuloi synimet e qarta të këtij mashtrimi:

“Top Fake News Televizion, më paska akuzuar në një dokumentar militantësh fanatik, se paskam qenë i përfshirë në “skandalin” e tenderit të uniformave të Policisë së Shtetit. Të mashtrosh, të shpifësh e të sajosh fake news, nuk është kurrfarë zotësie apo profesioni. Eshtë mjerim i degradimit moral!

Bujar Nishani si ministër, por edhe administrata e Ministrisë së Brendshme kur drejtohej prej meje nuk ka organizuar, drejtuar, realizuar apo nënshkruar kurrë ndonjë tender për uniformat e Policisë së Shtetit. Kurrë, asnjëherë!

Po pse gënjen përsëri Top Fake News Televizion?

Kushdo e di fare mirë. I shërben kryehajdutit, kryemashtruesit, mikut të trafikantëve e vrasësve, tradhtarit serbofil të kombit shqiptar! I shërbejnë kockave që ju hidhen nga tepsia e hajnisë dhe korrupsionit që zhvat e grabit çdo ditë familjet e shqiptarëve.

Secilin prej nesh, shqiptarët e njohin mirë e nuk ka topçi që mund të hedhë baltë atje ku ajo nuk ngjit!

Mafia ka emër!" përfundon Nishani.