Skandal/ Një i arrestuar me shenja të Covid, në të njëjtën sallë edhe 32 të ndaluar dhe forca policie

Të arrestuarit dhe ndaluarit e operacionit “Hapësira”, nga strukturat hetimore të DVP Vlorë dhe Prokurorisë së Rrethit Vlorë dolën sot në gjykatë ku u njohën me rivlerësimin e masave të sigurisë ndaj tyre.

Seanca e sotme gjyqësore u mbajt kundër çdo protokolli shëndetësor, e në kundërshtim me rregullat e vendosura për shkak të situatës së pandemisë Covid-19.

Në sallë ishin gjithsej të pranishëm 32 të arrestuar dhe shumë forca policie.

Gjatë seancës, në sallë një prej avokatëve mbrojtës ka kërkuar për klientin e tij të merret parasysh shfaqja e simptomave të Covid-19.

Kërkesa ishte paraqitur edhe më herët në sekretari, por nuk është marrë në konsideratë.

Mes të arrestuarve në këtë operacion, ky është rasti i dytë që shfaq simptoma të Covid- 19, pasi një tjetër i akuzuar do të njihet me rivlerësimin e masës në banesë, raporton Panorama.

Hetimet

Në vijim të operacionit u shpallën në kërkim, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, shtetasit:

A. GJ., 50 vjeç, banues në Tërbaç, Himarë;
A. J.,36 vjeç., banues në Tërbaç, Himarë;
L. GJ., 25 vjeç , banues në Tërbaç, Himarë;
M. S., 36 vjeç, banues në Tiranë.

Gjatë operacionit është ushtruar kontroll në 41 banesa.

Gjatë periudhës hetimore gjashtëmujore janë asgjësuar një numër i konsiderueshëm bimësh narkotike canabis sativa, në territoret e Bashkive Selenicë dhe Himarë, janë sekuestruar 120.9 kg lëndë e dyshuar narkotike, janë sekuestruar 4 armë gjahu, dylbi, një pistoletë sportive, 39 telefona celular etj.