COVID/Bebe Rexha e shqetësuar për gjendjen e tezes së saj, tregon gjendjen e rëndë të spitaleve në Amerikë

 Familjarë të Bebe Rexhës po kalojnë një gjendje të vështirë për shkak të Covid-19 dhe kjo gjë duket se e ka shqetësuar shumë artisten.

Ajo ka zbuluar për ndjekësit në rrjete sociale se tezja e saj është prekur nga Covid-19 dhe se është në gjendje të vështirë shëndetësore.

Me këtë rast Bebe ka denoncuar edhe gjendjen alarmente në spitalet e Amerikës.

“Tezja ime është në spital për momentin. Ajo ka Covid. Pothuajse vdiq mbrëmë. E vetmja gjë që ajo i tha mamasë time ishte që spitali është aq i mbingarkuar sa është e vështirë të marrësh një infermiere. Infermierja i tha asaj ‘mos më thërrit derisa nuk je duke vdekur’”, ka shkruar Bebe në një postim në Twitter.

Më pas në një tjetër postim ajo ka treguar se ka mbetur e habitur pasi një doktoreshë ka zbuluar se në spitale nuk ka mjete dhe kapacitet mjaftueshëm për të përballuar gjithë të sëmurët me Covid-19.

“Sipas Dr. Christina Ghaly, drejtoreshë e Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore të Qarkut L.A, kishte vetëm 370 shtretër spitalorë për qarkun prej 10 milionësh. Disponueshmëria e ICU (njësi e kujdesit intensiv) ishte edhe më e keqe, me vetëm 56 të tilla të mbetura”, shkroi këngëtarja.

Më pas ajo është shprehur se ndihet shumë e frikësuar për këtë fakt.

Më herët Bebe ka treguar se edhe prindërit e saj e kanë kaluar koronavirusin, gjatë kohës që gjithë bota ishte në izolim total.

Prindërit e saj fatmirësisht e kaluan lehtë sëmundjen, por tashmë Bebe është e shqetësuar për fatin e të afërmve të tjerë.