Fund i hidhur për Chelsea, Wolves i merr fitoren në sekondat e fundit

Chelsea i Franck Lampard humb orientimin në kampionat, pasi ka pësuar humbjen e dytë radhazi në harkun e tre ditëve, teksa mbrëmjen e sotme u mposht me rezultatin 2-1 nga Wolves në “Molineaux Stadium”.

Olivier Giroud e nisi sërish si titullar sfidën për “blutë e Londrës” dhe zhbllokoi shifrat në minutën e 49’ të takimit, megjithatë vendasit arritën të rikthejnë baraspeshën në minutën e 66’, me golin e shënuar nga portugezi Daniel Podence.

Kur dukej se gjithçka do të mbyllej në barazim, ishte portugezi tjetër, 20-vjeçari i talentuar Pedro Neto që shënoi edhe golin e dytë për Wolves, në minutën e pestë shtesë dhe vulosi suksesin për vendasit.

Kjo humbje lë Chelsean në vendin e pestë me 22 pikë, por të paktën 3 skuadra mund ta parakalojnë nëse fitojnë ndeshjet përkatëse, ndërsa Wolves ngjitet në kuotën e 20 pikëve në vendin e 9.