Mustafaj: Flaka i ka trembur, njerëzit e zemëruar nuk dalin me lule

Ish-ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, ishte i ftuari i Adi Krastës në SYRI TV. Ai komentoi protestat e ditëve të fundit, duke e nisur me qëndrimin që duhej të mbante opozita.

“Besoj se ka një problem opozita në këtë rast me sulmet që i ka bërë mazhoranca, me propagandën intensive, me mbështetjen e disa ambasadave ndërkombëtare në Tiranë për mesazhet JO dhunë, kjo e ka frenuar. Kjo për mua është e padrejtë. Opozita duhej të bënte detyrën e saj, jo për të përfituar prej situatës, për të artikuluar shqetësimet e të rinjve,” tha Mustafaj.

I pyetur për ata që kanë barazuar vrasjen e të riut me djegien e pemës, Mustafaj tha se përveç atyre që janë paguar për ta bërë këtë, të tjerët janë trembur. “Unë mendoj se një pjesë e asaj që kanë bërë ekuivalencë e kanë bërë në mënyrë të pafajshme sepse flaka i ka trembur”.

“Adoleshentët e sotëm janë të mrekullueshëm, nuk janë halabakë. Nuk flas nga pozita e opozitës, madje e nisa me kritikë ndaj opozitës. Adoleshentët nuk kanë prekur një xham privat, nuk kanë prekur asnjë pronë private. Njerëz të zemëruar që dalin në rrugë me lule nuk ka".

"Në Shqipëri ka pasur një shproporcionim të dhunës. Policë që rrahin një njeri të neutralizuar, kjo është ligjërisht e dënueshëm. Policët janë në tejkalim të detyrës së tyre,” tha ai.

Duke folur për vrasjen e Klodian Rashës, Musstafaj tha: “Nga sa kanë thënë mediat dhe nga sa tha prokuroria, unë them që përputhen në një masë me të vërtetën. Unë besoj se pjesa më e ndershme ka qenë media, një pjesë e mirë. Pjesa më e pandershme ka qenë policia, e cila ka shkelur ligjet. Ka tentuar të manipulojë faktet. Ka folur për pistoletë në vendin e ngjarjes, që nuk është e vërtetë. Kjo tregon se policia ka qenë jashtë detyrës së saj dhe është krejt e përligjur kërkesa për dorëheqjen e Ardi Veliut”.