Basha premton reformë të thellë: Policia do t’i kthehet qytetarëve!
Në takimin me gazetarët që u zhvillua ditën e sotme, kryedemokrati Lulzim Basha premtoi një polici që lufton krimin dhe është aty për qytetarët.
“Policia e Shtetit do t’u kthehet qytetarëve. Reformë e thellë, për një polici që do të luftojë krimin, do të mbrojë qytetarët dhe ligjin dhe do të jetë pjesë e përpjekjes tonë tjetër të suksesshme për ta futur Shqipërinë në BE".
Gjithashtu Basha theksoi se policia ‘nuk do të përdorët më për të ruajtur arat e kanabisit, nuk do të poshtërohet për të përshëndetur kriminelët me makina të blinduara, ndërkohë që rreh dhe dhunon qytetarët e pafajshëm.
“Nuk do të përdorë më gaz lotsjellës për të nxjerrë fëmijët 5-vjeçarë nga shtëpitë e tyre që t’i shkatërrojë për projekte e për afera abuzive si tek Unaza e re apo tek zhvendosja e lumit të Lanës.
Do të përbëhet nga njerëz profesionistë, jo nga militant partie dhe në çdo rast nuk do të lejohen kuadro të cilët përdorin drogën dhe veprojnë nën efektin e drogës.
Por peshku qelbet nga koka. Unë kam mirënjohjen më të thellë për ata që edhe në këto kushte të vështira mundohen të bëjnë detyrën e tyre, sikundër i siguroj se Lulzim Basha si kryeministër i ardhshëm me një ndjeshmëri të shtuar, se i kam njohur e kam punuar nga afër kur i hoqëm vizat para 10 vitesh, do t’jua heqim nga qafa barrën e shefave mafiozë që i kanë tjetërsuar, i kanë depersonalizuar dhe përpiqen si mish për top kundër vëllezërve dhe motrave të tyre.
Patjetër. Reformë e thellë me një polici që do të luftojë krimin, do të mbrojë qytetarët dhe ligjin dhe do të jetë pjesë e përpjekjes tonë tjetër të suksesshme për ta futur Shqipërinë në BE”, deklaroi Basha.