Më të mirë-paguarit në Shqipëri, por anëtarët e SPAK, KLP e KLGJ marrin favorin e radhës

Ndërsa janë shtresa më e përkëdhelur e administratës publike, me paga deri 4 mijë dollarë në muaj, me mjete në dispozicion apo me sigurime shëndetësore preferenciale, anëtarët e SPAK, KLP, KLGJ, apo të komisioneve të Vetting-ut po përgatiten të marrin favorin financiar të radhës. Është depozituar tashmë në Kuvend një projektligj që u siguron anëtarëve të organeve të reja të drejtësisë pensione suplementare.

Nëpërmjet këtij projektligji krijohet mundësia për një trajtim financiar suplementar të anëtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, të Komisionerëve Publikë, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të drejtuesve të SPAK-ut, funksione, të cilat janë krijuar pas miratimit të paketës ligjore të reformës në drejtësi. Gjithashtu, në këtë projektligj, janë reflektuar edhe ndryshimet përkatëse për prokurorët dhe gjyqtarët, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr.96/2016, ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’.

Gjithsesi, hartuesit e draftit janë kujdesur që përllogaritja e pensionit suplementar të mos bëhet mbi pagat që ata përfitojnë vitet e fundit, të cilat janë rreth 300 mijë lekë për magjistratët e arrijnë deri 460 mijë lekë në muaj për titullarët e organeve të reja.

Me qëllim që të arrihet një barazim i trajtimit bazuar në periudhën e shërbimit dhe në kohën e gëzimit të pagës para ose pas vetting-ut në projektligj është përcaktuar e zhvilluar termi ‘pagë referuese’.

Paga referuese për personat, objekt i ligjit nr.96/2016, datë 6.10.2016, ‘Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë’, si dhe për personat, paga e të cilëve referohet tek ky ligj, do të lidhet me muajt e shërbimit para dhe pas këtij ligji. Pra, paga referuese do të jetë ‘pagë mesatare referuese’, përcakton drafti.

Kjo do të thotë se, nëse një magjistrat i kualifikuar, i cili ka 20 vite pune përpara datës 31.12.2008 me një pagë mujore, p.sh., 120 000 lekë dhe në vijim, ai ka edhe 10 vite pune me pagën mujore p.sh., 400 000 lekë, paga mesatare referuese e tij do të jetë (20*12*120000+10*12*400000) = 213,333 lekë në muaj, dhe kjo pagë është më e vogël se paga e Presidentit, e cila aktualisht është 250 000 lekë./Scan