Lazio përballë Bayernit/ Igli Tare: Nuk e nisim si të mundur

Shorti i Ligës së Kampioneve ka qenë i pamëshirshëm për Lazion, pasi ka vënë skuadrën italiane përballë Bayernit të Mynihut, fitues në fuqi dhe padyshim favorit kryesor për të përsëritur suksesin edhe në edicionin aktual.

E megjithatë, Igli Tare është munduar të çdramatizojë pak situatën në fjalët e tij të para për mediat italiane pas këtij shorti.

“Më mirë se kaq nuk mund të shkonte”, ishte batuta e tij pasi mësoi emrin e kundërshtarit që bardhekaltrit do të kenë përballë në fazën e parë me eliminim direkt.

“Përtej shakave, luajmë kundër skuadrës që ka fituar edicionin e kaluar Ligën e Kampioneve, ndaj është favoritja absolute në këtë duel, por nuk e nisim si të mundur. E kemi treguar dy herë ndaj Borusia Dortmund, do të mundohemi të përballojmë këtë ndeshje me shumë entuziazëm, pasi e kemi merituar. Nisemi si jo favoritë, por duhet të besojmë dhe të bëjmë një surprizë”, ishin fjalët e drejtuesit shqiptar të Lazios.