Partizani sytë nga CAS-i/ Do kërkojë dëmshpërblim nga FIFA, nëse fiton ‘çështjen Çinari’

Skuadra e Partizanit do të kërkojë dëmshpërblim nga FIFA në rast se sot shpallet fitues në gjyqin e CAS-it.

“Demat e kuq”, të cilët kanë pajtuar një studio ligjore spanjolle për këtë çështje, duan të dëmshpërblehen për bllokimin e merkatos së verës dhe për dënimin e Eraldo Çinarit me katër muaj pezullim nga aktiviteti.

Prandaj, vendimi i sotëm nga CAS ose i ditëve në vijim, në rast se trupa gjyqësore do të kërkojë ditë kohë për të vendosur, është shumë i rëndësishëm për klubin e Partizanit, jo vetëm për faktin që i hapet merkatoja dhe mund të përforcohet shumë gjatë muajit janar, por edhe në aspektin financiar.

83 mijë e 150 euro është gjoba që FIFA i ka vendosur Partizanit dhe futbollistit Erald Çinari.

Kjo shumë do të paguhej edhe nga klubi, edhe nga Çinari, në një ndarje të totalit me dakordësi mes klubit dhe futbollistit. Por, në rast se Partizani fiton çështjen në gjyqin e CAS-it, do ta “kursente” këtë shumë të konsiderueshme.